Kampionia në fuqi e Kosovës, FC Prishtina nuk ka ndaluar së përforcuari skuadrën me futbollistë në merkaton dimërore.
Lojtari i radhës që vishet me ngjyrat bardhekaltër është Aleksandar Ristevski, njofton faqja zyrtare e klubit prishtinas.
Qendërmbrojtësi së fundmi ishte pjesë e Rabotniçkit në elitën e futbollit maqedonas.
Ai është 29-vjeçar e kryesisht ka luajtur në kampionatin maqedonas, derisa ka pasur një periudhë të shkurtër edhe në Shqipëri, ku për gjashtë muaj ka veshur fanellën e Vllaznisë së Shkodrës.
Ristevski është aktivuar edhe për Metalurg Skopje, FK Skopje, Carev Dvor, Pobeda Prilep, Pelister Bitola, Renova dhe Struga para se të transferohet te Rabotniçki.
Ristevski është përforcimi i tetë dhe i fundit për këtë afat kalimtar.
Më parë me Prishtinën janë bashkuar edhe Bujar Pllana, Agim Zeka, Sadam Sulley, Adonis Aliu, Drilon Cenaj, Gentrit Begolli dhe Josip Tomasheviq.
Ristevski, që tashmë i është bashkuar ekipit në stërvitje, e ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit./Demokracia.com/