Sport
FC Ballkani: Të enjten nuk debutojmë vetëm ne, por e tërë Kosova
Demokracia
19:16 | 06 Shtator 2022

Share:

FC Ballkani ka dalë me një tjetër postim në lidhje me ndeshjen historike që do ta zhvillojë të enjten në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

Kampionët e Kosovës e nisin fazën e grupeve me takimin kundër ekipit rumun, CFR Cluj që do luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 18:45, shkruan Demokracia.com.

Duke dashur të nxisë tifozët për të blerë bileta për këtë sfidë, Ballkani në faqen zyrtare ka shkruar se të enjten nuk do të debutojnë vetëm ata, por edhe e gjithë Kosova.

“Të enjten në këtë kompeticion nuk do të debutojë vetëm ekipi kampion, Ballkani, por e tërë Kosova”, thuhet ndër tjerash në postimin e suharekasve.

Demokracia.com gjatë ditës së sotme raportoi se deri në ora 17:00 janë shitur vetëm 3 mijë e 156 bileta nga 13 mijë e 500 sa është kapaciteti i stadiumit në kryeqytet për tifozë.

Interesim i zbehtë për ndeshjen historike të Ballkanit, rreth tre mijë bileta janë shitur deri më tani kundër Cluj

Biletat për këtë sfidë historike të kampionëve të Kosovës kanë dalur në shitje online prej disa ditësh, ndërsa për çmimet e tyre është kritikuar jo pak klubi, të cilët gjithashtu dolën edhe me një sqarim në faqen zyrtare.

Çmimet e biletave për takimin Ballkani – Cluj fillojnë nga 5 euro për sektorin Veri dhe Jug, duke vazhduar në Lindje me nga 10 euro, Perendim 15 euro, për t’u ndalur në shifrën prej 50 euro për zonën VIP.

Ballkani bën pjesë në Grupin G me Clujin e Rumanisë, Slavia Pragën e Republikës së Çekisë dhe Sivassporin e Turqisë./Demokracia.com/

Të ngjashme