Lajme
‘Fatziu’ “Liza” – Gjykata ia merr 100 mijë euro dhe e lë në paraburgim, avokati me kritika të ashpra
Demokracia
12:49 | 21 Nëntor 2023

Share:

Edhe Gjykata Supreme e Kosovës ka mbështetur atë Themelore dhe të Apelit që ta lë në paraburgim Ilir Abdullahun, I njohur si “Liza”  i Vranjevcit. Në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi, Supremja konstaton se të dy shkallët e gjyqësorit kanë vendosur drejt kur e kthyen në paraburgim Abdullahun, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, ani pse ai pagoi 100 mijë euro dorëzani.

Në fillim të nëntorit të këtij viti Gazeta Insajderi pati raportuar se edhe Gjykata e Apelit kishte miratuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që ta kthente në paraburgim Ilir Abdullahun, I njohur si “Liza”  i Vranjevcit ani pse i njëjti veçse kishte paguar shumën prej 100 mijë eurosh për dorëzani, dhe kishte dorëzuar pasaportën si shenj që nuk planifikonte të dilte jashtë vendit.

Arrestimi i tij sivjet bëri shumë bujë, pasi ai ishte i kërkuar nga policia për 16 vite si i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007 edhe si bashkëpunëtor i Enver Sekiraqës në kohën kur ndodhi tragjedia.

Pas një kohe në paraburgim, Ilir Abdullahu përmes avokatit Ramë Dreshaj kishte paraqitur kërkesë që kjo masë të zëvendësohej me mbrojtje në liri në këmbim të dorëzanësi prej 100 mijë eurosh, që ishte miratuar në fillim.

Por, pas disa javësh, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që të merrte vendim që pavarësisht deponimit të këtyre mjeteve i njëjti të kthehej në paraburgim, diçka që u bë pa e arrestuar atë rishtazi, por duke u dorëzuar ai vet në Polici.

Mbrojtja kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, por edhe ajo vendosi njëjtë – Ilir Abdullahu qëndron në paraburgim, si masë për të siguruar prezencën e tij në proces gjyqësor.

Mbrojta e Abdullahut pastaj kishte bërë një ankesë tutje, atë në Gjykatën Supreme për mbrojte të ligjshmërisë, por edhe kjo e fundit u ka dhënë të drejtë dy vendimeve të më hershme.

Avokati i Abdullahut, Ramë Dreshajt ka thënë që sipas tij as “Gjykata Supreme nuk ka pasur guxim profesional që të vendos drejt dhe po ndikohet nga mediat”.

Ai ka shpjeguar se edhe kjo Gjykatë që për mandat ka vendosjen e ligjshmërisë, për një person ka lënë në fuqi tri masa për të siguruar prezencën e tij në procesin gjyqësor: konfiskimin e pasaportës, mbajtjen e parave për dorëzani prej 100 mijë eurosh, plus paraburgimin.

“Fare nuk janë marr me bazat tjera ligjore që ceken në ankesë-kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, sidomos faktit se me dorëzimin e pasaportës, qe e ka nxjerrur pasi ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e dorëzanin, se më parë nuk ka poseduar pasaportë, deponimi i 100,000 eurove,  e ka zbehur fuqishëm rrezikun e ikjes”, ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, “Gjykata Supreme nuk është marrë profesionalisht me pretendimet e ankesës, dhe atë në çështjet thelbësore dhe ligjore, por siç duket edhe Gjykata Supreme ka ra nën ndikimin e gazetave dhe portaleve, qe ligji nuk i njeh këto ndikime, por gjykatat ne Kosove, shpesh harrojnë profesionalizmin dhe ligjet dhe Kushtetutën e vendit”.

Për vrasjen e Triumf Riza, që kishte ndodhur më 30 gusht të vitit 2007 në parkingun e lagjes Santea të kryeqytetit, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Ndërsa për nxitjen në vrasjen e Rizës, është i akuzuar edhe Enver Sekiraqa por që rasti i tij ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Përveç Abdullahut, Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, akuzoheshin se si grup i organizuar nga Enver Sekiraqa, kishin organizuar vrasjen e Triumf Rizës, për motive të ulta.

Kjo sipas Speciales, kishte ndodhur për shkak se Riza, e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin “Swiss Casino”.

Të ngjashme