Faton Neziri është zgjedhur futbollisti më i mirë i javës së 18-të të Superligës së futbollit, çmim ky që e ndan Federata e Futbollit të Kosovës pas çdo xhiroje.
Futbollisti anësor e ndihmoi Dukagjinin në fitoren e madhe ndaj Gjilanit duke e shënuar golin e tre pikëve në minutat shtesë të lojës pasi e mori një top të mirë nga Altin Merlaku, shkruan “Gazeta Express”.
Pasi mori çmimin “Ylli i Javës”, Neziri u shpreh për vlerësimin si më i miri i xhiros dhe për faktin që skuadra e tij e mbylli stinorin me fitore.
“Është kënaqësi e veçantë të shpallesh ‘Ylli i javës’. Ky është çmimi im i parë si lojtar i KF Dukagjini. Ky sezon ka shkuar mirë për ekipin tonë, por shpresoj që sezoni pranveror do të jetë edhe më i mirë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik për përkrahjen dhe ju premtoj që do të vazhdojmë të punojmë ndeshje pas ndeshje”, tha Faton Neziri për faqen zyrtare të FFK-së.