Lajme
Familjari i Prindon Sadriut largoi nga puna aktoren e vetme shqiptare
Demokracia
12:00 | 17 Gusht 2023

Share:

Mbrapa largimit nga puna të aktores së vetme shqiptare në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, Egzona Salihu, qëndron Kujtim Sadriu, djali i axhës së Prindon Sadriut, burrit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Aktorja Salihu është larguar nga puna në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë nga Sadriu, nën arsyetimin se nuk e ka respektuar orarin e punës.

Paparaci mëson se drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë “Abdulla Krashnica”, Kujtim Sadriu, i cili ka marrë vendim për largimin e Salihut nga puna, është familjar i burrit të shefes së shtetit.

Konkretisht, Kujtim Sadriu është djali i axhës i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Sadriu, i cili është i vendosur në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, gjatë majit të vitit të kaluar, ka dalë me reagim të enjten pasi e largoi Salihun nga puna.

Mes tjerash, Sadriu ka renditur arsyet që çuan siç thotë ai, në largimin e Salihut prej punës në Preshevë. Megjithatë, Sadriu tha se Salihu ka të drejtë ankese në Gjykatën Themelore në Bujanoc.

Duke i reaguar deputetit Shaip Kamberi dhe këshilltares Ardita Sinani, Sadriu u shpreh se Salihu nuk është paraqitur në vendin e punës në periudhën prej 18, 19, 20 dhe 21 korrik të 2023-s.

“FILLIMISHT DO TI CEKI PRIVILEGJET QË I KA GËZUAR EGZONA SALIHU. E liruar nga puna nga ana ime për aktivitete të tjera, jashtë Shtëpisë së Kulturës. Nga data 26.12.2022 deri më 30.12.2022 e liruar nga puna për aktivitete të tjera (dëshmi kërkesa). Nga data 23.06.2023 deri më datë 14.07.2023 e liruar nga puna për aktivitete në Teatrin e Kumanovës (dëshmitë, kërkesa dhe deklarata e regjisortit). Shfrytëzimi i Shtëpisë së Kulturës për realizimin e projekteve të finacuara nga Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Nacional, Monodarama e etj. Ardhja në punë mesatarisht, ora 10:30 deri në ora 12:30 (qëndrimi në kafiteritë, Monro dhe Xl)”, ka shkruar ai në Facebook mëngjesin e së enjtes.

“KEQPËRDORIMET. Mos ardhje në punë 13-14.06.2023. Refuzim i punës, sipas sistemimit që ka pasur. Refuzimi i dramës “Vdekja e Hijshme”. Refuzim i dramës me gjimnazistët, në regji të T.M Refuzim i komunikimit përmes grupeve në viber. Dhe në fund. Nga data 29.06.2023 deri më datë 12.06.2023 ka shfrytëzuar pushimin vjetor, menjëherë, nga data 23.06.2023 deri më datë 14.07.2023 e liruar nga ana ime, për aktivitet, në Teatrin e Kumanovës, në dramën “Fluturimi mbi Teatër”. Nga data 17 u paraqit në punë dhe deri më datë 21.07.2023 nuk është paraqitur fare në punë”, tha ai.

Krejt në fund, ai shton se “zonja Sinani për nivelin e kulturës do të shkruja nesër, për ju me vendimet tuaja për punsim pa baza ligjore me bekimin e shtetit Serb”.

Mirëpo, Salihu ka shkruar të mërkurën në Facebook se largimi i saj nga puna është i përkohshëm, raporton Paparaci.

Ajo shton se është ballafaquar me shantazhe, maltretime e kërcënime “që nga emërimi i drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë”.

Aktorja Salihu ka treguar se vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e ka pranuar para disa ditësh.

“Po, po, sa herë që ngjitesha në skenë në teatrin e Preshevës dhe luaja me gjithë zemër rolet që mu ndanin, në fakt paguhesha për ndriçuese dhe jo aktore. Logjikshëm do duhej të isha mbrapa perdeve, por dëshira për të ushtruar profesionin tim me nderë e përkushtim hiqte para meje çdo perde e cila më ndante mua dhe qytetarin preshevarë që vinte për të parë ato pak organizime që ne, bashkë me kolegët tjerë i organizonim”, thotë Salihu.

Sipas saj, institucioni në fjalë udhëhiqet nga njerëz joprofesionalë. “Fokusi im që të merrem me profesionin e jo politikën, dëshira ime për të mos heshtur po për të lëshuar zërin, e bindja ime që të bardhës i thuhet vetëm e bardhë, ishin pengesat kryesore për të vazhduar të ushtrojë profesionin tim”.

“Nuk ka e nuk do të ketë drejtor që nga brendësia ime mund të më marrë vullnetin e dëshirën për t’i kontribuar zhvillimit të kulturës në qytetin ku jetoj. As luftën për barazi e emancipim të femrës shqiptare. Fundja, pozitat e tyre janë të përkohshme. Ata shkojnë e vijnë. Ne do të mbesim e bashkë me ne do të mbesë edhe angazhimi jonë i përbashkët për drejtësi”, shprehet ajo.

“Vendimi për largimin tim nga puna nuk mund t’i ndalë dritat e juaja që ka kohë që kanë filluar të fiken e sjellja juaj autokrate nuk mund të ndalojë perden e cila shumë shpejtë do t’ju bjerë për të ndarë përfundimisht të keqen tuaj nga e mira të cilën synojnë qytetarët. Dritat e fikura sot do t’i ndriçojmë me flakadanin e barazisë e mirëtrajtimit nesër. Beteja ka filluar”, përfundoi Salihu.

Për largimin e saj nga puna ka pasur reagime të ndryshme. Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar si të mjerë dhe të ulët vendimin e marrë ndaj Salihut, raporton Paparaci.

“Sa keq. Sa ulët. Sa mjerë. E njëjta Egzonë që për shkak të mosnjohjes së diplomës nga Republika e Kosovës ka pranuar e përzgjedhur të ushtrojë profesionin e vet qoftë edhe duke u paguar si ‘ndriçuese’ e jo aktore, vetëm e vetëm të qëndrojë në vendlindje. Si heroinë e vërtetë. Pa u joshur nga mundësitë jashtë vendlindjes, por duke qëndruar këtu në mesin tonë”, shkroi ai në Facebook.

“Diplomën nuk ia njohu Serbia – kontributin në vendlindje nuk po ia njohin sherifët lokalë. Egzona sot është dëshmia e radhës që koha për të ngritur zërin bashkërisht po perëndon. Sot Egzona, nesër dikush tjetër. Mjaftë më”.

Reagimeve iu është bashkëngjitur edhe Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sinani u shpreh se pushteti aktual në Preshevë “çdo ditë e më shumë po kontribuon me (mos)veprimet në stërkeqjen e situatës në çdo pore që prek qytetarët tanë, e vërtetoi edhe rasti i sotëm”.

“Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merr vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut. Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës! Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër”, shkroi ajo në Facebook.

Sinani shton se ishte pikërisht drejtori aktual i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, “që i dirigjuar e komanduar nga kryetari aktual i Komunës së Preshevës, anuloi lejen për shfaqjen e filmave ‘Heshtja vret’ dhe ‘I pabesi’, projekte këto që ishin mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Të ngjashme