Lajme
Familja Ismaili nga Drenasi largohet nga VV-ja, deputeti Enver Dugolli akuzohet për nepotizëm
Demokracia
10:19 | 28 Shtator 2024

Share:

Largimet nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas nuk kanë të ndalur.

Pas largimit të disa aktivistëve të zellshëm e të kësaj partie, dje është bërë me dije se nga ky subjekt politik është larguar edhe familja Ismaili.

Përmes një deklarate publike, kjo familja ka treguar arsyet e largimit nga VV-ja.

Në deklaratë janë shprehur kritika të mëdha për deputetin e VV-së, Enver Dugolli dhe kryetaren e Qëndresë së VV-së në Drenas, Egzona Tërdevci.

“Ne, familja Ismaili, pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe shqyrtimi të situatës aktuale brenda Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Drenas, kemi vendosur të japim dorëheqjen nga çdo funksion dhe angazhim në këtë subjekt politik. Ky vendim nuk është marrë lehtë, por vjen si rezultat i një sërë shqetësimesh të thella dhe pakënaqësish të vazhdueshme me mënyrën e udhëheqjes dhe sjelljes së disa prej përfaqësuesve kryesorë të Qendrës. Së pari, ne jemi thellësisht të zhgënjyer me drejtimin që ka marrë kryetarja e Qendrës, znj. Egzona Tërdevci, si dhe deputeti Enver Dugolli. Udhëheqja e tyre ka treguar mungesë të plotë të vlerave për të cilat Vetëvendosje u themelua dhe për të cilat ne si familje u angazhuam për vite me radhë”, është thënë në deklaratën e familjes Ismaili, e cila është publikuar nga Jeton Ismaili.

Më pas, janë përmendur edhe arsyet tjera të largimit.

“1. **Nepotizmi** – Kemi vërejtur se në vend të meritokracisë dhe përfshirjes së të gjithë anëtarëve në vendimmarrje, po promovohet nepotizmi dhe interesat personale mbi ato të kolektivit. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me parimet për të cilat kemi luftuar. 2. **Mosmirënjohja dhe anashkalimi** – Kontributet tona dhe të shumë anëtarëve të tjerë janë shpërfillur dhe anashkaluar vazhdimisht. Përkundër përkushtimit tonë të vazhdueshëm, përfaqësuesit kryesorë të Qendrës nuk kanë treguar asnjë shenjë mirënjohjeje apo respekti ndaj angazhimeve tona. 3. **Përvetësimi** – Përfaqësuesit aktualë kanë krijuar një kulturë të përvetësimit të punës së kolektivit për përfitime personale, duke u distancuar nga fryma bashkëpunuese dhe duke e kthyer udhëheqjen në një mekanizëm të mbyllur dhe të centralizuar. 4. **Fyerja e dinjitetit dhe përjashtimi** – Anëtarët janë përballur me fyerje dhe shkelje të dinjitetit të tyre personal. Të anashkaluar dhe të shpërfillur, kemi qenë dëshmitarë të një klime të mbyllur dhe jo përfshirëse, ku vetëm një rreth i ngushtë njerëzish vendosin për gjithçka”, është thënë në deklaratë.

Të ngjashme