Edhe pse raporti i autopsisë për vdekjen tragjike të disenjatorit të njohur Festim Isufi tashmë është përfunduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), familja e tij ende nuk e ka pranuar dokumentin zyrtar.
Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga rasti tragjik, familja Isufi është në pritje të këtij raporti, i cili pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e vdekjes së të ndjerit, shkruan IndeksOnline.
Nga ana tjetër, se raporti është lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tek organet e hetuesisë, për IndeksOnlinen e pati konfirmuar zv.drejtori i këtij institucioni, Ditor Haliti.
Tutje, Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti të rëndë, që ndodhi më 9 maj, kur Isufi u gjet pa shenja jete në banesën e tij në “Rrugën B”, në Prishtinë.
Lidhur me rastin nga prokuroria është intervistuar edhe bashkëshortja e Festimit, Rina Maloku- Isufi, e cila mbeti e plagosur nga therja me thikë në të njëjtin incident.
Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga rasti, autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje për shkaqet apo motivet e mundshme të kësaj tragjedie.
Ngjarja ka lënë pas një boshllëk të madh jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për komunitetin e modës dhe artit në Kosovë, ku Festim Isufi njihej për stilin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm.