Lajme
Falsifikoi letrën kërcënuese, KLGJ pezullon nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi
Demokracia
16:34 | 07 Shkurt 2024

Share:

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi, e cila akuzohet për kallëzim të rremë e falsifikim pasi denoncoi se u kërcënuar me jetën e fëmijëve. Sipas prokurorisë, Këlliçi e ka shkruar letrën vetë.

Gjyqtares Arnisa Këlliçi do i kushtojë historia e kërcënimit me jetë nga persona të panjohur, siç ajo pretendoi.

Prokuroria e Tiranës thotë se nga hetimet ka dalë në përfundimin se kallëzimi ishte i rremë, dhe se gjyqtarja e Tiranës e ka shkruar vetë letrën kërcënuese.

Mbi këtë letër ku gjyqtarja Arnisa Këlliçi pretendoi se ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor i siguroi mbrojtje. Nga denoncuese, gjyqtarja kthehet tashmë në subjekt hetimi me 2 akuza  ‘Kallëzim të rremë’ dhe ‘Falsifikim të dokumenteve’.

Në shpjegimin e saj Prokuroria thotë se në datën 20 janar në orën 23:10, në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal gjyqtarja Arnisa Këlliçi, e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhoma penale.

Gjyqtarja ka pretenduar se në zyrën e saj, e cila ndodhet në katin e tretë, zyra nr. 321, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.

Ndër të tjera, kallëzuesja ka shpjeguar se në datën 20 janar rreth orës 11:00, ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi.

Në momentin që ka hyrë në zyrën e saj, në tavolinën e saj të punës mbi dosje, ka gjetur një zarf dhe brenda tij ishte letra e cituar më sipër, të cilën pasi e ka lexuar, e ka futur në kasafortë.

Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë përdorur emrat e fëmijëve të saj.

Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallëzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja Arnisa Këlliçi.

Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova që krijojnë dyshim e arsyeshëm  për t’i atribuuar kësaj shtetaseje veprën penale të “Kallëzimit të rreme” parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, duke proceduar me marrjen si të pandehur për këtë vepër penale.

Gjithashtu, po në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, është administruar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa për mbrojtje e dërguar nga Këlliçi, duke vënë në lëvizje këtë institucion, i cili ka vendosur, ruajtjen fizike të magjistrates dhe familjes së saj, për një periudhe 3-mujore.

Në këto kushte, rezulton se kjo gjyqtare, ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të dhëna me përmbajtje të rreme, me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat, nuk i takojnë.

Sa më sipër, nga ana e organit të prokurorisë është vendosur marrja si e pandehur e shtetases Arnisa Këlliçi edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Të ngjashme