Lajme
Falsifikim i dokumentit zyrtar, Enver Peci thotë se dokumenti kishte tri faqe e hetuesit ia prezantuan me dy faqe
Demokracia
19:25 | 27 Korrik 2023

Share:

Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) Enver Peci, në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se dokumenti shpjegues për çështjen e vazhdimit të mandatit të anëtareve të Panelit për Lirimin me Kusht (PLK) ka pasur tre faqe ndërsa dokumenti që i është prezantuar nga hetuesit policorë ka pasur vetëm dy faqe.

Këtë deklaratë Peci e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku për falsifikim të dokumentit zyrtar po akuzohet zyrtari i KGjK-së, Bedri Duraku. Pos Pecit kanë dhënë dëshmi edhe ish-kryesuesi tjetër i KGjK-së, Nehat Idrizi dhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani. Aktualisht, Peci është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Hasan profesor ne Universitetin e Gjilanit dhe Nehat Idrizi gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

“Mirë më kujtohet se vula e pranimit e cila shënohet edhe me shkrim me laps kimik është 100 % e njëjtë, pa paragjykuar se çka ka qenë, unë mundem me thënë si dëshmitar se konsideroj se nuk ka qenë dokument i njëjtë, vula ka qenë e njëjta por përmbajtja ndryshon sepse ajo i ka pasur tre faqe, e kjo dy faqe”, deklaroi dëshmitari Peci.

Sipas aktakuzës Bedri Duraku akuzohet se në cilësinë e koordinatorit në Panelin për Lirimin me Kusht (PLK) të KGJK-së ka bërë përpilimin e shkresës zyrtare gjegjësisht të aktit me përmbajtje të rreme, ashtu që pa autorizim aktin e përpiluar për vazhdimin e mandatit të anëtarëve të Panelit e ka ndryshuar, duke e bërë të njëjtin në dy faqe, pra duke e ndryshuar përmbajtjen e tij, ashtu që faqja e parë ka mbetur e njëjtë ndërkaq në faqen e dytë është hequr baza ligjore për vazhdimin e mandatit të anëtarëve në PLK.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupi gjykues lidhur me ndryshimin përmbajtjesor që kanë pasur këto dy dokumente, dëshmitari Peci tha se tek dokumenti me tre faqe kanë ardhur në dakordim që mund të vijë deri tek vazhdimi i mandatit të anëtarit të PLK-së edhe pa propozim të kryetarit të Gjykatës Supreme ndërsa nga dokumenti i dytë me aq sa i kujtohet duhet në një farë forme propozimi edhe i kryetarit të Gjykatës Supreme për vazhdim të këtij mandati.

I njëjti tha se ka kërkuar sqarime shtesë nga koordinatori lidhur me atë se a duhet të ketë propozim nga kryetari i Gjykatës Supreme për vazhdimin e mandatit të anëtares së Panelit për Lirimin me Kusht apo jo.

Enver Peci tha se kishte kërkuar përpilimin e kësaj analize ligjore lidhur me çështjen nga koordinatori për Panelin për Lirimin me Kusht, në këtë rast nga i akuzuari Bedri Duraku meqenëse ai ka qenë më i familjarizuar me çështjen e sidomos me ligjin që rregullon PLK-në andaj ka konsideruar se ka njohuri të mjaftueshme në këtë drejtim.

Mes tjerash dëshmitari ka thënë se me aq sa i kujtohet koordinatori nuk ka pasur ndonjë pengesë ligjore që për këtë të konsultohet edhe me zyrën ligjore mirëpo me aq sa di, për aq kohë sa ka funksionuar Zyra Ligjore më shumë ka kërkuar shpjegime prej koordinatorit sesa që ka pasur mendime të veta.

Pas deklarimeve të tilla është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit edhe ish kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Hasani.

I njëjti tha se me ligj vetëm kryetari i Gjykatës Supreme ishte kompetent të caktojë kryesuesin dhe zëvendësin e tij nga radhët e gjyqtareve të Gjykatës Supreme dhe kështu kishte vepruar duke caktuar znj.Emine Kaqiku për kryesuese të Panelit për Lirimin me Kusht.

Hasani tha se kishte ndërtuar një praktikë të tillë që kryesuesit të mos i caktojë dy herë radhazi për faktin se krijonte menjëherë pakënaqësi tek gjyqtarët tjerë, mirëpo edhe pse kishte përgatitur një kandidat tjetër për ta propozuar, pas një periudhe dy mujore kishte kuptuar se kryesuese ishte rizgjedhur znj. Emine Kaqiku.

“Sinqerisht po them unë u shqetësova për faktin se kjo ishte bërë në një procedurë jo te paraparë me ligj, andaj unë iu drejtova me një shkresë kryesuesit të KGJK-së, Enver Peci dhe aty ia shfaqa të gjitha pa rregullsitë dhe njëkohësisht i tërhoqa vërejtjen se çdo punë e saj qe lidhet me vendosjen e kërkesave për lirim me kusht është jo legjitime”, tha Hasani.

Gjithashtu potencoi se i kishte paralajmëruar se me këtë veprim me të dy këmbët janë në zonën penale për shpërdorim të detyrës zyrtare duke i tejkaluar kompetencat ligjore dhe theksoi se në rast se nuk e shfuqizojnë vendimin lidhur me vazhdimin e mandatit do detyrohet të i kallëzoj penalisht në prokurori të njëjtit.

Pas kësaj, kërkesës së tij nuk i është përgjigjur fillimisht askush pasi që Enver Peci kishte mbaruar mandatin e tij në KGJK, ndërsa pas emërimit të Nehat Idrizit si kryesues dhe pas mbajtjes së mbledhjes së KGJK-së është shfuqizuar vendimi për vazhdimin e mandatit të Emine Kaqikut.

“Konsideroj se është e rëndësishme t’ua them edhe këtë se është hera e parë edhe e fundit që dikush është rizgjedh në këtë mënyrë nga Këshilli Gjyqësor, pra që dikujt i është vazhduar mandati nëpërmjet Këshillit Gjyqësor”, deklaroi Hasani.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes avokatit Naim Rudari, dëshmitari Hasani tha se kur e ka drejtuar kërkesën në të cilën ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me çështjen, referencë ka pasur vendimin mbi vazhdimin e mandatit dhe ligjin e asnjë dokument tjetër, kjo pasi që sipas tij ligji ishte shume i qartë dhe nuk linte dilema për interpretim ndryshe.

Pas këtyre deklarimeve seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Nehat Idrizi i cili kishte filluar mandatin e tij si kryesues i KGJK-së në vitin 2016.

I njëjti u ballafaqua me vendimin e datës 21 korrik 2016 me të cilin ishte shfuqizuar vendimi i mëparshëm i datës 25 shtator 2015 për vazhdimin e mandatit të znj. Emine Kaqiku dhe deklaroi se i njëjti vendim ishte nënshkruar nga ai.

Duke shtuar faktin se ka kaluar një kohë e gjatë dhe i kujtohet se kjo ka qenë kërkesë e kryetarit të Gjykatës Supreme Fejzuallah Hasani dhe se kërkesat e tilla shqyrtohen në mbledhje të Këshillit Gjyqësor i cili si organ kolegjial i merr vendimet të cilat më pas normalisht se nënshkruhen nga ai si kryesues.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Agim Kuqi lidhur me atë se gjatë periudhës sa ka qenë kryesues i KGJK-së, a ka pasur ndonjë rast kur mandati i ndonjë anëtari është vazhduar nga ana e Këshillit Gjyqësor, dëshmitari Idrizi tha se në kohën derisa ai ka qenë kryesues vazhdimet e mandateve të anëtarëve të PLK-së gjithmonë janë bëre me kërkesën e organit përkatës nga kryetari i Gjykatës Supreme.

Pas deklarimeve të tilla, seanca ka vazhduar me propozimin e provave materiale nga Prokuroria si dhe nga mbrojtja ku pas disa vërejtjeve të dhëna nga avokati Rudari, palët janë dakorduar se nuk kanë propozime tjera për plotësimin e provave materiale.

Në rrethana të tilla, seanca e sotme ka përfunduar ndërsa për seancën e radhës e cila u caktua për datën 12 tetor të këtij viti pritet të jepet mbrojtja e të akuzuarit Duraku si dhe fjala përfundimtare e palëve.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 janar 2020, Bedri Duraku akuzohet se në cilësinë e koordinatorit në Panelin për Lirimin me Kusht (PLK), të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka bërë përpilimin e shkresës zyrtare gjegjësisht të aktit me përmbajtje të rreme, ashtu që pa autorizim aktin e përpiluar për vazhdimin e mandatit të anëtarëve të Panelit e ka ndryshuar, duke e bërë të njëjtin në dy faqe, pra duke e ndryshuar përmbajtjen e tij, ashtu që faqja e parë ka mbetur e njëjtë ndërkaq në faqen e dytë është hequr baza ligjore për vazhdimin e mandatit të anëtarëve në PLK.

Tutje, në aktakuzë thuhet se në cilësi të të dëmtuarës-dëshmitares është propozuar ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Emine Kaçiku për faktin se pasi që është bërë ndryshimi i shkresës zyrtare pa autorizim nga i akuzuari Bedri Duraku, të njëjtës i është ndërprerë mandatit si kryesuese e PLK-së.

Gjithashtu, sipas aktakuzës në cilësi të dëshmitarëve janë propozuar që të dëgjohen edhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, dhe zyrtarja regjistruese në kuadër të KGJK-së, Zoja Gashi.

Me këtë, i akuzuari Bedri Duraku po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimi për Drejtësi

Të ngjashme