Pronarja e “Kooperativës Krusha”, Fahrije Hoti, është fituesja e sivjetme e çmimit “Evropianja e Vitit”.
Fituesja është shpallur mbrëmë nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë pritjes së organizuar për Ditën e Evropës në Prishtinë.
“Jam i nderuar që po i jap çmimin “Evropianja e Vitit 2022” Fahrije Hotit dhe dua të falënderoj Behare Barjaktarin, Jovana Radosavljeviq, Samir Karahodën dhe Sebahate Hajdinin për kontributin e tyre të përditshëm në përmirësimin e shoqërisë kosovare”.
Ky është viti i shtatë me radhë që BE-ja i ndan këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.
Të nominuarit për këtë çmim në vitin 2022 ishin:
- Behare Bajraktari, themeluese e “BB Green Kosova”,
- Fahrije Hoti, themeluese e “Kooperativa Bujqësore Krusha”,
- Jovana Radosavljević, themeluese e “New Social Initiative”,
- Samir Karahoda, prodhues filmash dhe programues i filmave të shkurtër në “DokuFest”, dhe
- Sebahate Hajdini, drejtoreshë ekzekutive e “Down Syndrome Kosova”.