Lajme
Fadil Kodra s’pranon t’i shërbejë Qeverisë Kurti, e refuzon pozitën e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë
Demokracia
13:07 | 01 Prill 2023

Share:

Qeveria Kurti është dorëzuar para Fadil Kodrës. Pas fitimit të rastit në Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Qeveria është detyruar që z. Kodra ta emëron një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese. 

Disa muaj pasi e ka fituar rastin në KPMShCK, ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave është njoftuar nga Qeveria me vendimin për t`u kthyer në punë.

Dokumentin që e ka siguruar gazeta Nacionale tregon se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë(DMZP), duke u bazuar në vendimin e datës 17.01.2023 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka marrë vendim për emërimin e nëpunësit civil në pozitën e kategorisë së mesme drejtuese.

“1.Fadil Kodra emërohet në pozitën Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Pejë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë – Shërbimi Korrektues i Kosovës.
2. Obligohet z. Kodra, brenda pesë dite të paraqitet të Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore e institucionit të caktuar sipas pikës 1 të këtij vendimi.”, thuhen në vendim.

Kodra refuzon bashkëpunimin me Qeverinë Kurti

Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës, ka treguar për gazetën Nacionale se klientin e tij nuk do ta pranojë këtë pozitë.

Ai ka thënë se Kodra më nuk iu beson kësaj qeveria dhe për këtë arsyeje ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin.

“Po, ju konfirmoj se pas fitores së dy betejave juridike ndaj dy vendimeve të Qeverisë (vendimit të parë të Ministrit të MPB dhe vendimit të dytë të Kryeministrit) me të cilat u vërtetua paligjshmëria e shkarkimit të z. Kodra, tashmë klienti im ka vendosur që të mos e pranoj vazhdimin e punës në shërbim të këtij pushteti ekzekutiv. Z. Kodra konsideron se, refuzimi për të mos pranuar këtë detyrë, është refuzim për t`ju nënshtruar pushtetit autoritar i cili tashmë ka dhënë prova të panumërta se ka urrejtje patologjike ndaj luftëtarëve të lirisë – UÇK-së – vlerës së shenjtë dhe më të lavdishme të populli”, ka thënë Fetahu.

Ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti ka bërë shumë padrejtësi në raport me Kodrën.

Fetahi ka treguar se Kodra për refuzimin e detyrës e ka njoftuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Sveçla.

“Madje, pas konfirmimit nga organi kompetent se z. Kodra ishte emëruar në mënyrë të ligjshme – në rastin e shkarkimit të parë, dhe pas konfirmimit të punës së tij të ligjshmë në krye të AME-së – në rastin e shkarkimit të dytë, ka vendosur që inicioj edhe betejen tjetër gjyqësore për cenimin e reputacionit të tij. Z. Kodra, për arsyet e refuzimit të detyrës së ofruar, i ka shkruar edhe Kryeministrit z. Kurti dhe Ministrit z. Sveçla”, ka thënë Fetahu.

“Përndjekja” e pushtetit ndaj Kodrës

Qeveria Kurti vitin e kaluar e kishte shkarkuar disa herë Fadil Kodrën nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Në tetor, brenda 24 orëve, Qeveria kishte marrë dy vendime për Fadil Kodrën. Fillimisht, më datën 13 tetor, ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit është pezulluar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe me pas është shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky është vendimi i dytë që merret nga Qeveria për shkarkimin e Kodrës brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Vendimi i parë ishte marrë në muajin korrik të vitit të kaluar, por ky vendim ishte rrëzuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke u cilësuar si i kundërligjshëm.

Fadil Kodra me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës më 14.03. 2012 ishte emëruar Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të MPB-së.

Po ashtu, Qeveria më 13.03.2015 i kishte vazhduar mandatin Kodrës edhe për tre vite.

Në tetor të vitit të kaluar Kodra ishte shkarkuar nga kryeministri Kurti dhe më pas ishte ankuar në KPMSHCK. Pas shqyrtimit të ankesës së tij, më 17.01. 2023 këshilli ka nxjerr vendimin me të cilin e obligon DMZP që brenda afatit të caktuar ligjor Fadil Kodrën ta emërojë në një pozitë të kategorisë së mesme drejtuese apo profsionale në kuadër të shërbimit civil në radhën e pozitave të lira në shërbimin civil.

Fadil Kodra ka qenë prej luftëtarëve të parë të UÇK-së dhe njëri prej bashkëluftëtarëve të afërt të Adem Jasharit.

Të ngjashme