Gjatë një interviste për emisonin “Rudina”, fotografi Fadil Berisha tregoi pak nga historia e tij familjare dhe si në vitin 1953 përfundoi në SHBA, si pasojë e një situate të vështirë.
“Prindërit e mi kanë ikur në ’53-shin. Unë jam nga Tropoja. Të gjithë e mendojnë që jam kosovar, në të vërtetë jam nga të dyja dhe i shoh si një, por unë kam lindur në Kosovë. Babit në atë kohë kohë i dhanë një detyrë, të vriste një kosovar. Ai s’mundi ta bënte atë gjë dhe i thotë, ‘Të lutem mos trego se kush të shpëtoi sepse mua më vrasin’. Ai e tregoi dhe babin e fton qeveria të shkojë në Tiranë, ‘të të japim gradat’, por ai e dinte se nuk do ta bënin. I thonë kushërinjtë, ‘Ikim në Tiranë se do kënaqemi’. Ata shkojnë, ai nuk shkon. Ata i rrahin, i fusin në burg”, -tregon fotografi, duke shtuar i ati shpëtoi veten dhe shkoi në Serbi ku bëri 8 muaj burg.
Ata i ofrojnë një biletë që të shkonte në një vend tjetër kudo në botë ose të qëndronte aty, pa asnjë lehtësi nga shteti. Ashtu si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ai zgjodhi të shkonte në SHBA.
“Mos të kishte ndodhur kjo, do isha në Tropojë me delet akoma. Kush e kishte menduar një malok kështu, fotograf i modës? Si unë, si Emine Çunmulaj”, -rrëfen Berisha me humor.