Fabio Cannavaro raportohet se ka rënë dakord për t’u bërë trajneri i ri i Fatih Karagumruk.
Italiani ishte përmendur si një nga kandidatët kryesorë për këtë rol gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Gazeta Express.
Tani, “Sky Sport Italia” ka raportuar se klubi turk ka bërë zgjedhjen e tyre dhe janë gati të firmosin me Cannavaron.
Karriera e tij si trajner nuk ka qenë e mirë, pasi ai ka punuar në poste të ndryshme asistenti dhe drejtori në Al-Ahli, më pas u bë trajner i ekipit kinez, Guangzhou Evergrande, në vitin 2014.
Fituesi i “Topit të Artë” kishte eksperienca në Al-Nassr, Tianjin Quanjian, përsëri në Guangzhou Evergrande dhe pati dy ndeshje si trajneri i përkohshëm i ekipit kombëtar të Kinës.
Roli i tij i parë në Itali ishte në Serie B te Benevento, por zgjati vetëm 17 ndeshje.
Sa i përket Fatih Karagumruk, dëshira e klubit besohet se ishte të punësojnë trajner italian pas Francesco Fariolit dhe Andrea Pirlos.