Sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vendet evropiane po sillen ekzaktësisht si një shekull më parë, me të njëjtat modele dhe të njëjtat tendenca, ku aktorët kanë ndryshuar, por situatat janë të ngjashme.
Kështu i referohet ai dinamikave në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor, duke u vetëcilësuar si “i lumtur” që nuk është një unionit evropian, por një evropian i mirëfilltë në të gjithë aspektet, gjatë një paneli mbi Aftësia e BE-së për të formësuar tranzicionet globale, gjatë Forumit Diplomatik të Ankarasë në Turqi.
Në vëmendje gjatë këtij paneli, ka qenë edhe multilateralizmi dhe zhvillimet e fundit të raporteve mes vendeve brenda dhe përtej Unionit.
Për Hasanin, multilateralizmi po vuan specifikisht në dy dekadat e fundit.
“Kemi një Këshill Sigurimi të Kombeve të Bashkuara që është disfunksional, që nuk është në gjendje të ofrojë atë që pritet nga ai. Kemi disa organizata ndërkombëtare që nuk mund dhe nuk po japin atë që pritet nga to. Dhe këtu po përmend KE, OSBE, dhe disa entitete të ngjashme të tjera në hapësirat euro-atlantike dhe euro-aziatike”, përmendi ai gjatë fjalës së mbajtur.
Megjithatë, strukturat e kanë të qartë për të se bashkohen nga vlerat që krijojnë demokracitë liberale, bazuar në sundimin e ligjit dhe tregun e lirë.
Por, bota, përmend ndër të tjera kryediplomati shqiptar, nuk po i sheh më faktet në të njëjtën mënyrë, ashtu siç bota nuk i sheh më faktet në këndvështrime të ndryshme.
Kjo ka të bëjë për të me luftën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe mënyrën se si ne, komuniteti ndërkombëtar i të gjithë ngjyrave, vepron dhe po sillet ndaj saj.
Situata në Gaza po ashtu, ku sulmet e tmerrshme të Hamasit nuk u dënuan të paktën nga Palestina në fazën fillestare.
“Por në të njëjtën kohë, duhet të dënojmë dhe të ngremë zërin për situatën e rëndë humanitare që është atje dhe gjithashtu për të gjetur zgjidhje që gjithmonë bazohen në atë në të cilën ne besojmë fort, në zgjidhjen e dy shteteve dhe dy popujve në rajon, por edhe çdo gjë që po vjen dhe çdo gjë që po prodhohet, pasqyrohet menjëherë në rajon”.
Si shembull të shtuar, Hasani sjell edhe vetë Ballkanin Perëndimor, i cili është një sipërfaqe e vogël në Evropë dhe nuk i kalon 20 milionë banorët, por që ka qenë gjithnjë vend në konflikt dhe përpara luftës në Ukrainë, shihej si fuçia e vërtetë e barutit në Evropë.
“Gjakderdhja në Evropë, para luftës në Ukrainë, ishte pikërisht në pjesën tonë të botës”, shtjellon ai. “Ne jemi ende zona gri në stomakun e Evropës, siç do të thoshte kryeministri im, jemi rrethuar nga një kufi i Bashkimit Evropian, por ende nuk jemi të integruar, ende duke luftuar për të zhvilluar ato tre elementet që përmenda më parë demokracinë liberale bazuar në sundimin e ligjit, ekonomitë e tregut të lirë dhe synojmë më lart për lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut”.
Duke shtruar vetë pyetjen nëse situata është vërtetë kaq e zymtë, Hasani përgjigjet me një “Po”, e tillë është.
“Po, është, sepse nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e fortë. Ne jemi duke luftuar. Ne jemi të bllokuar. Ne po shkojmë mbrapa në shumë çështje, duke përfshirë ndryshimet klimatike, mënyrën se si sillemi ndaj mjedisit, mënyrën se si ndërveprojmë, ndërveprojmë me krizat globale, mënyrën se si shkuam me agjendë kombëtare edhe në reagimin ndaj pandemisë Covid-19”.
Ajo çfarë mundon sipas tij, është fakti se askujt nuk do t’ia priste mendja se në vitet 2023-2024 të shekullit të XXI-ë, evropianët do të silleshin ekzaktësisht si në shekullin e shkuar, me të njëjtat modele dhe tendenca.
“Aktorët kanë ndryshuar”, vijon, “por situatat janë të ngjashme dhe ne me të vërtetë duhet t’i qëndrojmë të drejtave tona themelore”.
Në mbyllje, Hasani po ashtu thotë se vërtetë duhet t’u qëndrojmë institucioneve që kemi krijuar dhe nuk duhet të sillemi si entitete instinktive.
“Njeriu ka pranuar të krijojë shtetet, dhe shtetet kanë rënë dakord të krijojnë institucionet ndërkombëtare, jo të jenë instinktive. Fatkeqësisht, ky është trendi i ri. Dhe e vetmja përgjigje ndaj kësaj janë përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar multilateralizmin”, përmbyll.