Lajme
EULEX: Situata e sigurisë në veri e brishtë, do t’i shtojmë patrullimet rreth zonës afër urës së Bistricës
Demokracia
14:41 | 13 Prill 2023

Share:

Misioni i EULEX-it në Kosovë është duke shqyrtuar rritjen e pranisë më të madhe të patrullave në zonën e Urës së Bistricës në veri, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Ata konsiderojnë se situata në veri të Kosovës mbetët e brishtë dhe sipas tyre, i gjithë tensioni është rritur pas largimit të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë, pasi vakuumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës po vazhdon. Në dritën e incidentit të fundit, ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së frekuencës së patrullave tona të zbulimit rreth zonës afër urës së Bistricës, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thonë nga Eulex-i.

Ata kanë treguar se njësia e përbërë prej 105 oficerëve polake dhe njësia policore e formuar rezervë (NFPU), e cila përbëhet nga 24 xhandarë italianë dhe 5 lituanez, po kryejnë patrulla të lëvizshme të zbulimit 24/7.

“Njësia e Formuar e Policisë se EULEX-it, e përbërë nga 105 oficerë policie polake, dhe njësia policore e formuar rezervë (NFPU), e cila përbëhet nga 24 xhandarë italianë dhe 5 lituanez, po kryejnë patrulla të lëvizshme të zbulimit 24/7, duke punuar me turne. Përveç kësaj, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë po patrullojnë në këmbë në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq/Leposaviq dhe Zubin Potok”, thonë tutje nga Eulexi.

Situata u tensionua në veri të Kosovës pas plagosjes së një qytetari serb.

Për këtë rast, nga Policia e Kosovës janë suspenduar 4 policë.

Ndërkaq, dje qytetarët serbë kanë protestuar në atë pjesë duke kërkuar largimin e policisë së Kosovës nga veriu./Front Online

Të ngjashme