Lajme
EUKOJUST jotransparent, nuk tregon si e përzgjedhi një kompani me status pasiv për kontratën e KGJK-së
Demokracia
18:50 | 14 Dhjetor 2023

Share:

Në këtë muaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe konzorciumi i përbërë nga kompanitë eDev, E-Tech dhe Bridge X Solutions, kanë nënshkruar kontratën për dizajnimin dhe zhvillimin e sistemit informativ të menaxhimit të buxhetit, financave, të ardhurave dhe pasurive jofinanciare, si dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, zhvillimi i të cilave mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), shkruan Demokracia.com.

Bazuar në komunikatën e KGJK-së, sipas autorizimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, marrëveshjen e ka nënshkruar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.

Demokracia.com ka gjetur se njëra prej kompanive në konzorcium, “E-Tech”, nuk është aktive. Pra, e ka statusin pasiv. Kjo shihet edhe nga të dhënat e uebfaqes së ARBK-së.

Në KGJK nuk janë në dijeni për këtë, madje as nuk u intereson si është bërë përzgjedhja e kompanive. Për ta është e rëndësishme që të behët projekti, pasi kanë thënë se këto procedura i ka kryer donatori.

Lidhur me kërkesën tuaj, të datës 1 dhjetor 2023, ju informojmë se Autoriteti Kontraktues: Sekretariati i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Departamenti i Prokurimit, nuk ka zhvilluar procedurë të prokurimit me titull “Zhvillimi i sistemit informativ të menaxhimit të buxhetit, financave, të ardhurave dhe pasurive jofinanciare, si dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore për Këshillin Gjyqësor të Kosovës”. Kjo procedurë dhe nënshkrimi i kontratës janë zhvilluar në mbështetje për Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga Bashkimi Evropian, përmes Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST). Në këtë rast, Autoriteti Kontraktues: Sekretariati i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Departamenti i Prokurimit, nuk ka asnjë informacion”, ka bërë të ditur KGJK për Demokracia.com.

Megjithatë, KGJK ka qenë nënshkruese e kësaj kontrate.

Ka mbi një javë që Demokracia.com i është drejtuar Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), për të marrë përgjigje në këto pyetje: “Jemi të interesuar të na dërgoni specifikat teknike që kanë qenë të vendosura në dosjen e tenderit për këtë lëndë të prokurimit. Pra, dëshirojmë të dimë se cilat kanë qenë të gjitha kriteret që është dashur t’i plotësojë kompania që të kualifikohet si e përgjegjshme për këtë kontratë”. EUKOJUST nuk ka kthyer përgjigje. Por, ajo që dihet është se procedura e këtij prokurimi nuk është bërë sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, i cili e ndalon rreptësisht që të lidhet kontratë me një kompani pasive.

EUKOJUST, e cila nuk ka pranuar të kthejë përgjigje, në paraqitjet publike thirret në transparencë të madhe. Vetëm para pak ditëve, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), në bashkëpunim dhe me mbështetje të Misionit të OSBE-së dhe Projektit EKOJUST, kanë organizuar një punëtori dyditore për hartimin e projektit të Strategjisë për Komunikim Publik. Strategjia që është për komunikim, e cila ka të bëjë më transparencën, është sponsorizuar nga EKOJUST.

Megjithëkëtë, Demokracia.com ka kërkuar edhe një sqarim shtesë nga Ministria e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë për të mësuar edhe zyrtarisht se a është aktive kompania në fjalë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës – ARBK.

“Shoqëria Tregtare me emrin E-Tech SH.P.K. është e regjistruar në ARBK me datë 02/05/2007. Me datë 09.06.2022 ky biznes ka kaluar në listën pasive, sipas nenit 266 paragrafi 3 dhe 4 si dhe nenit 10 te Ligjit për Shoqëri Tregtare, ku të gjitha Shoqëritë Tregtare ekzistuese që nuk i kanë përditësuar të dhënat dhe nuk i kanë tërhequr certifikatat me Numër Unik Identifikues, janë vendosur në listën e Shoqërive Tregtare Pasive”, ka bërë të ditur Zyra për Marrëdhënie më Publikun e MINT.

Jozyrtarisht mësohet se kontratë e KGJK-së, e cila do të zbatohet nga konzorciumi i kompanive eDev, E-Tech dhe Bridge X Solutions është në një vlerë prej rreth 90 mijë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme