Kryeparlamentari serb, Ivica Dacic i ka quajtur hipokritë, duke përfshirë këtu edhe vendet e BE-së, ata që po i kërkojnë Serbisë që t’i imponojë sanksione Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Daçiq në një intervistë për RTS, ka thënë se këto shtete janë kundër Serbisë, e jo Rusisë, derisa përmendi edhe Kosovës, përcjell Demokracia.com.
“Nesër do ta pyesin Kosovën që të anëtarësohet në NATO, do ta pyesin të anëtarësohet në OKB. Te kush do të mbështetemi ne? Rusia. Nëse i vendosim Rusisë sanksione, nuk kemi te kush të mbështetemi”, tha ai.
Daçiq ka shtuar se Serbia nuk është e obliguar që t’i bashkohet politikës së jashtme të BE-së, para se të bëhet pjesë e saj.
“A po na thonë që nesër do të bëhemi pjesë e BE-së, që t’i harmonizojmë sot politikat. Jo, thonë në 10, 20 apo 30 vite”, tha ai, përcjell Demokracia.com.
Në vitin 1999, NATO bombardoi objektiva specifike në Kosovë dhe Serbi për të ndaluar një tjetër gjenocid të mundshëm nga serbët pas gjenocidit të Srebrenicës në 1995, në të cilin mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan në më pak se dy javë.
Serbia kishte vrarë mbi 10,000 shqiptarë të Kosovës para ndërhyrjes së NATO-s përmes fushatës së saj ushtarake “Engjëlli i Mëshirës”, dhe gjysma e popullsisë ishte zhvendosur. Më shumë se 1600 shqiptarë mbesin të zhdukur nga lufta, përcjell Demokracia.com.
“Agresioni kundër Serbisë nuk mund të quhet “Engjëll i Mëshirës” ndërsa pushtimi i Ukrainës të quhet brutal”, tha kryeparlamentari.
Daçiq përfundoi se Serbia do të vazhdojë t’i shikojë interesat e saj dhe nuk do të imponojë sanksione ndaj Rusisë.
Megjithatë, me kaq nervozë nuk ka folur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vërehet dukshëm që po e përjeton rëndë presionin e Perëndimit.
Serbia votoi sot në OKB për miratimin e rezolutës e cila dënon ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë./Demokracia.com/