Lajme
“Është shumës”| Fjalët e Kurtit që dëshmojnë se nuk ka ide se si e humbi njohjen nga Serbia
Demokracia
13:37 | 05 Mars 2023

Share:

Pse nuk u përfshi “njohja reciproke” në propozimin evropian? Fjalët e Kurtit në lidhje me një gjë të tillë të thëna në Kuvendin e Kosovës duhet të lënë gojëhapur secilin person që i ka përcjellur zhvillimet politike në vend në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

Njohja nga Serbia ishte menduar gjatë si qëllimi kryesor i negociatave me Serbinë që kishin nisur në marsin e vitit 2011.

Por, në muajt e fundit njohja humbi nga ligjërimi i marrëveshjes së Kosovës me Serbinë. Kjo njohje madje nuk u përfshi fare në Propozimin Evropian. Për një çështje të tillë, Kurti u pyet nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Dhe kjo duket se e qiti nga takti Kurtin.

Kurti pretendonte se Abdixhiku e kishte keqlexuar çështjen fillimisht, e më pas nisi të fliste për njohjen reciproke në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë.

“Para katër vjetëve, ish-presidenti Trump i ka dërguar letër ish-presidentit Thaçi, ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke”. Para dy vjetëve, këtë e ka bërë presidenti aktual Biden, njohje reciproke. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por njohje reciproke?” – u shpreh z. Kurti në fjalën e tij.

Në fakt, togfjalëshi “njohje reciproke” është përdorur edhe para letrës së Trumpit në vitin 2019. Atë e kishte përdorur Thaçi vite para letrës së Trumpit para katër viteve.

Por, Kurti nuk u ndal me kaq.

Ai vazhdoi tutje duke thënë se kërkesa për njohje reciproke dëshmonte se kishim gjendjen e “mos-njohjes reciproke”. Dhe, në pikën kulmore të fjalimit të tij mbi këtë pjesë të përçudshme, ai shprehet se nuk e njeh Serbinë duke i lënë edhe merita vetes për mos-njohjen reciproke.

“Dhe këtu nëse e vëreni, në fjalinë e katërt të preambulës thuhet “including the status questionS”. Çështjet, jo çështja siç tha deputeti Abdixhiku. Çështjet. Pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me presidentin Vuçiq te Zyra e Borrellit në mes të qershorit të vitit 2021 unë kam thënë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë,” – tha Kurti.

Pra, Kurti e kishte vënë në pikëpyetje sipas Kurtit edhe “statusin e Serbisë”. Por, sado të përçudshme të jenë këto pretendime, ka edhe pikëpyetje të reja.

Pse në propozimin evropian nuk shkruhet, ta zëmë, çështja e “statuseve” në shumës? Dhe, a s’do të nënkuptohej me “çështje të statusit” në njëjës edhe statusi i Kosovës edhe ai i Serbisë?

Megjithatë, Kurti nuk tregoi se për çfarë arsyesh po e bënte një mbrojtje të tillë kur po fliste për mungesën e njohjes nga Serbia.

Të ngjashme