Lajme
Escobari viziton Sarajevën në dritën e kërcënimeve secesioniste të Dodikut
Demokracia
19:30 | 28 Gusht 2023

Share:

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë kësaj jave pritet të vizitojë Bosnje-Hercegovinën (BeH) për të diskutuar me liderët atje situatën aktuale politike në dritën e minimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (1995), rendit kushtetues dhe shtetit të BeH-së.

“Vizita e tij nënvizon mbështetjen e qëndrueshme të SHBA-ve për integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të BeH-së dhe për rrugën e saj euro-atlantike”, ka njoftuar të hënën Ambasada e SHBA-ve në Sarajevë nëpërmjet faqes zyrtare në platformën “X”.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Serbe – entiteti serb në BeH – Milorad Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, nëpërmjet vendimit për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, ka shkelur Kushtetutën e BeH-së dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës trepalëshe të BeH-së, Zhelka Cvijanoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Republikës Serbe, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe përshkallëzimin e rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

Autoritetet e Republikës Serbe refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore, derisa Dodiku haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Escobari të mërkurën e javës së kaluar ka qëndruar edhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në fokus të vizitës së tij kanë qenë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës maqedonase dhe situata e përgjithshme politike në Ballkanin Perëndimor.

Të ngjashme