I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar në Beograd që Serbia dhe Kosova të përkushtohen se do të përmbahen nga dhuna.
Escobar ka shkuar në kryeqendrën serbe bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, pasi paraprakisht qëndruan në Kosovë.
“Duam përkushtimin e të dyja palëve se do të përmbahen nga dhuna. Shpresa ime është se më 1 shtator qytetarët në veriun e Kosovës nuk do të shohin asnjë ndryshim në jetën e tyre. Me fjalë të tjera nuk do të jenë të ngarkuar me proceduara shtesë administrative, nuk do të jenë vizitorë në vendin e tyre dhe so të njihen si qytetarë legjitimë me shtetësi të dyfishtë, të Serbisë dhe Kosovës, me të dy këto të drejta të mbrojtura, dhe të vazhdojnë të jetojnë në paqe”, tha Escobar.