Lajme
Escobar nesër me Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn, takimi i fundit me ta i kishte penguar Kurtit
Demokracia
15:01 | 18 Tetor 2022

Share:

Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, vjen nesër në Prishtinë. Ai do t’i mbledhë edhe krerët e opozitës në Ambasadën amerikane. Kështu ka vepruar edhe në vizitën e tij në gusht. Por, atëherë, dukej se Kryeministrit Kurti po i pengonte që Escobar i kishte ftuar opozitarët në darkë.

Gazeta Express mëson se edhe kësaj here, Escobar ka ftuar tre kerët opozitarë, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn nga AAK-ja, për një takim në Ambasadën amerikane në Prishtinë. Takimi pritet të mbahet nesër në mesditë.

Kjo është hera e dytë brenda muajve që i emisari amerikan vjen në Kosovë dhe mbledh opozitarët.

Në gusht, Escobar erdhi në Kosovë dhe u takua me Presidenten, e më pas mblodhi opozitarët për darkë në rezidencën e Ambasadorit amerikan. Kryeministri Albin Kurti nuk ishte në Prishtinë. Raportohej se pas takimit të 18 gushtit me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, Kurti kishte udhëtuar në Norvegji.

Kur u kthye dhe u pyet për takimin e Escobarit me opozitën, Kurti kishte lënë të kuptohet se nuk e ka pritur më së miri atë.

“Është e vërtetë që unë s’e kam takuar opozitën, prej që Kuvendi ka shkuar në pushim veror. E pash dje që, përveç meje, edhe z.Gabriel Escobar e kishte marrë malli për opozitën. Edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Dhe do ta pyesë z. Escobar se qysh ka kalu me opozitën, si është opozita, si e kemi opozitën”, pati deklaruar Kurti.

Lidhur me darkën e Escobar me opozitën dje gjatë ditës kishte bërë një reagim edhe këshilltari i Kryeministrit, Hysamedin Feraj, duke pyetur nëse opozita do ta njoftojnë Escobarin se “duan rrëzimin e Kurtit”.

Takimet e gushtit të Escobarit në Prishtinë, ndodhën pak ditë para afatit kur pritej të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë për zbatimin e marrëveshjeve për reciprocitet në dokumente dhe targa të Serbisë. Ndërkombëtarët që po i druheshin eskalimit të situatës zbarkuan në Prishtinë.

Javëve të fundit është intensifikuar ndërhyrja e ndërkombëtarëve në dialogun Kosovë -Serbi.

Përveç telefonatës së Sekretarit Blinken me Kryeministrin Kurtin dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuciq, janë angazhuar edhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti Emmanuel Macron. Këta të dy u kanë dërguar Kurtit e Vuciqit një propozim franko-gjerman, përmes këshilltarëve të tyre që vizituan Prishtinën e Beogradin në qershor.

Të ngjashme