Lajme
Escobar në telefon me Kurtin: Kërkohet zbatim i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes Bazike
Demokracia
23:02 | 11 Shtator 2023

Share:

Tri ditë para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Me Escobarin, që është Zëvendës ndihmës Sekretar Shteti për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike “u bisedua për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftimin e dërguar nga vetë zyra e kryeministrit në Kosovë.

Në njoftim pohohet se “kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”.

Ky pajtim i Kurtit për “rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, vjen vetëm pak ditë pasi Kryeparlamentari i Kosovës dhe numri 2 i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi se “kush themelon Asociacionin pa njohje nga Serbia bën tradhti”.

Kjo telefonatë gjithashtu vjen pasi gjatë vikendit u raportua nga një gazetare serbe me qëndrim në Uashington, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë qortuar ashpër Kurtin.

Raportimet nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka filluar një proces të shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe përmes udhëzimit administrativ, por me këtë variant nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të duhen më shumë se 100 ditë për të ardhur deri tek mundësia për zgjedhje të reja.

Për më tepër, kjo mund të realizohet vetëm nëse serbët paraprakisht përgjigjen pozitivisht në një peticion të paraparë si kërkesë për shkarkimin e kryetarëve.

Por, serbët e kanë bërë të qartë se ata nuk marrin pjesë në kurrfarë procesi e as nuk bëhen pjesë e institucioneve, nëse Qeveria paraprakisht nuk fillon themelimin e Asociacionit.

Gjithçka pritet të marrë adresë pas tri ditësh, kur me 14 shtator në Bruksel, për herë të parë pas shumë muajsh, takohen Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq.

Të ngjashme