Lajme
Escobar i përgjigjet kërkesës së Kurtit: Shpresoj… për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa të BE-së në vitin 2024
Demokracia
11:11 | 22 Shtator 2023

Share:

I dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian për Kosovën nuk mund të hiqen këtë vit.

Ai ka thënë se do të gjendet një mënyrë që ato të hiqen në vitin 2024, shkruan Demokracia.com.

“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat me të cilat ballafaqohet Kosova është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim. Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024.”, ka deklaruar Escobar.

Sipas tij, SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me Kosovën, për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ai ka thënë se do të kishin dëshirë të shihnin një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht që nga hyrja në fuqi e masave ka kërkuar që ato të hiqen sa më shpejtë.

Kurti deklaroi se Kosova me progresin e arritur ekonomik dhe demokratik do të duhej të kishte mirënjohjen e BE-së.

“Ka dakordim midis zëvendëskryeministrit Bislimi dhe emisarit evropian Lajçak, por ky dakordim i tyre në Bratislavë do të duhej të bëhej qëndrim i BE-së. Ne konsiderojmë që Kosova me progresin e saj ekonomik dhe demokratik do të duhej të kishte mirënjohjen e BE-së edhe kurrfarë masash ndëshkuese. Sa më herët që merret vesh një gjë e tillë, natyrisht që është më mirë për të gjithë”, tha ai.

Masat ndëshkuese të Bashkimi Evropian kanë hyrë në fuqi më 1 korrrik.

Sipas BE-së është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

Ndryshe, njohësit e ekonomisë kanë paralajmëruar se nëse masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nuk largohen, dëmet që do t’i ketë vendi do të jenë mbi 500 milionë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme