Lajme
Escobar dhe Lajçak i kërkojnë Kurtit të gjejë zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë
Demokracia
16:07 | 01 Shkurt 2022

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë në ofensivë të re për t’i bindur Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje dhe atë sa më parë që është e mundur.

Mesazhe të qarta sa i përket marrëveshjes me Serbinë i janë dhënë kryeministrit Albin Kurti nga Gabriel Escobar, ndihmës asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Dy emisarët qëndrim të njëjtë kanë mbajtur edhe me liderët e opozitës, mirëpo nga këto takime ka dalë edhe një kërkesë tjetër.

Burime të Demokracia.com kanë thënë se Escobar dhe Lajçak i kanë kërkuar Kurtit që të gjejë zgjidhje dhe të lejoj mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi do të mbahen më 3 prill të këtij viti.

Kosova ishte në presion edhe për lejimin e mbajtjes së referendumit serb për ndryshimet kushtetuese atje, mirëpo nuk u lejua. Edhe për zgjedhjet e 3 prillit institucionet kosovare kanë thënë se do të veprojnë njëjtë sikurse me referendumin.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë duke vazhduar vizitën në Kosovë me takime me përfaqësues të partive opozitare.

Një ditë më herët, dy diplomatët kanë takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ata kanë inkurajuar udhëheqësit e Kosovës që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se ky proces do ta afrojë Kosovën edhe më pranë BE-së.

Përfaqësuesit e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se në takim me diplomatët perëndimorë kanë shprehur mbështetje për dialogun si mekanizëm që siguron njohjen e ndërsjellë, pa e cenuar, sipas tyre, sovranitetin shtetëror dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.

Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkak i bllokadës.

Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.

Qeveria e tanishme e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Serbia, në anën tjetër, insiston që në kuadër të dialogut, të bisedohet për Asociacionin, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë të cilën Kosova nuk e pranon.

Njohësit e çështjeve politike në Prishtinë e shohin vizitën e Escobarit dhe të Lajçakut si presion të SHBA-së dhe të BE-së mbi Kosovën, për të rinisur dialogun me Serbinë dhe për të formuar Asociacionin.

Në prag të vizitës së tyre, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre modeleve, por Kurti, gjatë një konference të përbashkët për media me Escobarin dhe Lajçakun, ka thënë se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.

“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, ka thënë Kurti.

Ndërmjetësuesit në dialog kanë premtuar në këto takime se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as prishje të rendit kushtetues me anë të themelimit të ndonjë asociacioni me kompeteca ekzekutive.

“Mesazhi ka qenë i qartë – nuk do të ketë ndarje, as jofuksionalizim kushtetues”, ka thënë një burim brenda takimeve.

“Emisarët kanë treguar se ata duan që brenda këtij viti të arrihet marrëveshja me Serbinë”.

Në këto takime është folur për një asociacion të komunave me shumicë serbe i cili nuk prek në asnjë pikë Kushtetutën.

Është sqaruar se në kuadër të marrëveshjes të drejtat e serbëve që dalin nga Pakoja e ish-presidentit, Marti Ahtisari, të paketohen në një asociacion me qëllim që të kënaqet edhe pala serbe dhe atë ta paraqes atje si fitore.

Që nga korriku i viti i kaluar përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë. Dhe si shkak i kësaj bllokade është parë çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.

Kryeministri i Kosovës në Qershor të vitit të kaluar pati deklaruar se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, insiston që në kuadër të dialogut, të bisedohet për Asociacionin, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë të cilën Kosova nuk e pranon.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011 dhe deri më tash janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por jo të gjitha prej tyre zbatohen në terren. /Demokracia.com/

Të ngjashme