COVID-19KosovaSot:10Të gjitha:161,157|Bota 267,609,982
Prishtina -2 °C
Intervista
Esat Raci: S’di pse ka rikandiduar Elezaj kur shpejt mund të dënohet për keqpërdorimet e tij
Demokracia
12:54 | 11 Nëntor 2021

Share:

Share:

Share

Tweet

Escobar para vizitës në Shqipëri: E mbështesim ... Në prag të vizitës së parë zyrtare në Tiranë, i dërguari amerikan për rajonin tonë, Gabrie...

Kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Esat Raci, ka premtuar njëmodel ndryshe të qeverisjes në Klinë, një model të përgjegjshëm, zhvillimor dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime politike. Klina, sipas tij, deri më tani e ka pasur një kryetar që nuk ka qeverisur, por që ka qenë vetë i qeverisur prej grupeve të interesit. Në një intervistë për KosovaPress, Raci ka thënë se shumë shpejt kryetari i deritashëm mund të përfundojë si i dënuar për keqpërdorimet e tij, prandaj edhe shprehet i habitur pse ai ka rikandiduar kur është në një proces gjyqësor të papërfunduar.

Raci është i bindur që qytetarët e Klinës do t’ia japin shansin që të qeverisë me komunën e Klinës, sepse e njohin angazhimin, përkushtimin, kontributin e tij para, gjatë e pas luftës dhe e dinë që ai e mbanë fjalën.

KosovaPress: z. Raci keni qenë drejtor komune rreth 10 vjet, asamblisti më i votuar i Kuvendit Komunal të Klinës dhe zëvendësministër. Çfarë ju shtyri t’i hyni garës për kryetar komune?

Esat Raci: I kam shërbyer kohë të gjatë qytetarëve të Klinës. Është obligim qytetar e moral i yni që t’i shërbejmë qytetit tonë, shtetit tonë, sa herë që mundemi dhe e kërkon nevoja. Rrethanat që u krijuan dhe modeli abuziv i qeverisjes katërvjeçare që po e lëmë pas janë arsyet më të mëdha që më kanë shtyrë t’i hyj kësaj gare, me qëllimin e qartë që ta ndryshojmë këtë qeverisje të keqe dhe ta kthejmë komunën në shërbim të qytetarëve. Klina deri më tani e kishte një kryetar që nuk ka qeverisur, por që ka qenë vetë i qeverisur prej grupeve të interesit, grupeve politike e parapolitike. Ne e kishim një kryetar që vetëm me punësime, favorizime dhe rehatime politike është marrë gjatë gjithë mandatit të tij. Asnjë projekt të rëndësishëm nuk e ka realizuar. Mbi 90 për qind të premtimeve të tij ka dështuar t’i implementojë. As projektet që kishin mbetur të papërfunduara në mandatin para tij, nuk ka arritur t’i përfundojë, sepse nuk ka qenë aspak i interesuar të punojë për Klinën dhe qytetarët e saj, por i ka interesuar vetëm t’iu shërbej interesave familjare dhe klaneve të ngushta politike. Qytetarët e Klinës i dinë këto dhe besoj që së bashku do ta instalojmë shumë shpejtë një model ndryshe të qeverisjes, një model të përgjegjshëm, zhvillimor dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime politike.

KosovaPress: Përmendet grupe interesi, klane politike, a mund të jeni ju lutem më konkret, kush janë ata, kujt i ka shërbyer kryetari i deritashëm i Klinës?

Esat Raci: Po dihen këta, krejt Klina i dinë. Ka pas edhe raportime mediale. Ka besa edhe aktakuzë për keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Komuna e Klinës është mbushur plot me militantë partiakë, shkollat e Klinës janë mbushur me drejtorë politikë si ushtrues detyre, konkurset publike po i përsërisin vazhdimisht për t’ua përshtatur kundërligjshëm individëve të caktuar. Pra, kemi politizim të skajshëm, klientelizëm, favorizime dhe abuzime të pandalshme. Shumë shpejt mund të përfundojë edhe vetë kryetari i deritashëm si i dënuar për keqpërdorimet e tij, prandaj nuk e di edhe pse ka rikandiduar kur është në një proces gjyqësor të papërfunduar.

KosovaPress: Pse duhet t’iu besojnë juve qytetarët e Klinës?

Esat Raci: Këto zgjedhje janë për ndryshim, sepse qytetarët janë ngopur me këtë keqqeverisje. Ndryshimi jam unë dhe e kam përkrahjen edhe të partnerëve, partive tjera politike në Klinë, të cilat janë të zhgënjyera nga bashkëpunimi që kanë pasur me kryetarin Elezaj. Pra, ai nuk i ka zhgënjyer vetëm qytetarët e Klinës, por edhe partnerët e tij politikë që i ka pasur deri më tani, sepse nuk ka qenë korrekt as në relacionet ndërpartiake të cilat i ka krijuar për t’i shërbyer Klinës, se lëre më në raport me qytetarët, të cilët e kishin votuar para 4 vjetëve me shpresë që do ta bënte ndonjë punë të hairit. Qytetarët e Klinës besoj që tani do të ma japin mua shansin të qeveris me Klinën, sepse më njohin dhe e njohin edhe angazhimin tim, përkushtimin tim, kontributin tim para, gjatë dhe pas luftës. I njohin edhe sukseset e qeverisjes sonë të mëhershme dhe e dinë që unë e mbaj fjalën.

KosovaPress: Po flisni vazhdimisht për dështime… a mund të na thoni cilat janë tri dështimet më të mëdha të qeverisjes së kryetarit të deritashëm, kundërkandidatit tuaj?

Esat Raci: Me ua thënë të drejtën nuk është e lehtë të përzgjidhen tri dështimet më të mëdha të tij, sepse qeverisja e tij ishte komplet një dështim i madh. Ai asnjë projekt kapital nuk e ka realizuar. Asnjë shkollë, çerdhe apo palestër sportive nuk e ka ndërtuar. Nuk i ka mbajtur as premtimet dhe mbi 90 për qind të tyre as nuk i ka përmbushur. Klina vazhdon të ketë probleme me ujë të pijshëm. Nuk ka investuar as në arsim, as në bujqësi, as në shëndetësi, duke përjashtuar këtu disa renovime periferike. Në komunën e Klinës funksionojnë vetëm Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e tri QMF në tri bashkësi lokale dhe asnjë tjetër nuk funksionon. Madje edhe pandemia është menaxhuar tepër keq, sepse janë keqpërdorur edhe mjetet e taksapaguesve të Klinës në emër të blerjes së materialeve të nevojshme në QKMF. Kanë blerë sasi të mëdha të morfinës, e cila as nuk përdoret në QKMF dhe ka pasur e vazhdon të ketë mungesa të mëdha të barnave esenciale për trajtimin e COVID-it. Këto dhe shumë tjera janë të pasqyruara edhe në raportin e auditimit. Nuk ka arritur t’i përfundojë as projektet që kanë qenë të papërfunduara në vitin 2017. Ka premtuar qeverisje me duar të pastra, ndërkohë që sot është vetë i treti me aktakuza dhe sillen nëpër procese gjyqësore për keqpërdorimet që i kanë bërë me detyrën zyrtare. U bënë më shumë se tri, por të jeni të sigurt që dështimet i ka të njëpasnjëshme, sepse krejt çfarë i ka interesuar është t’i shërbej taborit të tij politik dhe t’i joshë njerëzit e partive të tjera me favorizime dhe premtime për punësime të ndryshme, me shpresë që e rritë votën partiake. Kjo është e dënueshme dhe do të ndëshkohet edhe nga qytetarët e Klinës më 14 nëntor.

KosovaPress: A mund të na tregoni cilat do të jenë tri prioritetet tuaja si kryetar i Klinës?

Esat Raci: Prioritet mbi të gjitha prioritetet është që Komunën e Klinës t’ia kthejmë qytetarëve të saj, duke e rritur cilësinë e shërbimeve komunale dhe eliminuar të gjitha burokracitë administrative. Komuna e Klinës, tërë administrata publike, do u shërbej vetëm qytetarëve dhe zhvillimit të Klinës. Pra, komunën do ua marrë grupeve të interesit që ua ka dhënë kryetari në ikje dhe do ua kthej qytetarëve të saj. Pastaj, bujqësia, blegtoria dhe zhvillimi rural do të jenë gjithashtu prioritete të qeverisjes sime. Brenda mandatit tim katërvjeçar do t’i investoj mbi 1 milion euro si përkrahje direkte për bujqit e Klinës. Ndërsa, prioriteti i treti, nga pikëpamja e tanishme vlerësoj se është kompletimi i tërësishëm infrastrukturor në të gjithë sektorët, që njëherë e mirë t’i japim fund investimeve të vazhdueshme infrastrukturore, si parakushte për zhvillim të mëtutjeshëm shumëdimensional. Ne duhet ta përfundojmë fazën e investimeve infrastrukturore, që të vazhdojmë me etapa të reja zhvillimore, duke e përmirësuar mirëmbajtjen e asaj infrastrukture. Kot investohet, nëse nuk mirëmbahet investimi më pas. Klina ka ndërtuar rrugë, por ato duhet të mirëmbahen, të pastrohen. Në fakt, kryetari aktual i paska shtruar edhe do rrugë sipërfaqësore mbi të cilat edhe dilte bari i gjelbër. Besa ka shtruar edhe rrugë jashtë territorit të Klinës, sepse si kryetar as territorin që qeverisë nuk e dinë.

KosovaPress: Mesazhi juaj për qytetarët e Klinës për 14 nëntorin?

Esat Raci: Nga qytetarët e Klinës kërkoj që të më votojnë më 14 nëntor, sepse jam njëri nga ta. Do të vazhdoj të jem njëri nga ta edhe si kryetar i Klinës, por me mundësi shumë më të mëdha që së bashku ta bëjmë Klinën ashtu siç e duan qytetarët, ta rrisim mirëqenien e tyre. Nga qytetarët e Klinës kërkoj që të ma japin shansin, të ma japin mundësinë, që t’ua dëshmoj që së bashku mund ta ndryshojmë Klinën, mund ta zhvillojmë dhe t’ia kthejmë gjallërinë qytetit. Klina ka vende të mrekullueshme, por komuna duhet të kujdeset për to. Pra, mesazhi im për qytetarët e Klinës, të cilët besoj e dinë vullnetin dhe gatishmërinë time për t’iu shërbyer me nder, korrektësi e përgjegjshmëri, është përtej meje, sepse nga klinasit kërkoj që të ma besojnë votën e tyre, që jo vetëm unë, por e tërë administrata e Klinës të jetë në shërbim të tyre dhe të zhvillimit të fshatrave dhe qytetit tonë. /kp

Të gjitha