Intervista
Erol Arduç: UNHCR më shumë se dy dekada në Kosovë, puna jonë ka ndryshuar shumë
Demokracia
16:03 | 20 Qershor 2021

Share:

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), është ende prezent në Kosovë, por tani me detyra krejt ndryshe prej atyre që kishte në fazën emergjente, para dhe pas luftës në Kosovë.

UNHCR sot ndihmon institucionet e Kosovës në procesin e kthimit por edhe në përballjen me refugjatët e ikur nga pjesët e tjera të botës e të cilët kërkojnë strehim në Kosovë.

Shefi i Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, në një intervistë të dhënë për Demokracia.com në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, shpreh kënaqësinë me përparimin e arritur në Kosovë por edhe bën thirrje që të tregohet kujdes për ata që dëshirojnë të kthehen, e sidomos me ata që kanë qenë të detyruar të ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimeve ndaj tyre e familjeve të tyre.

Më 20 qershor, shënohet Dita Botërore e Refugjatëve, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Kjo ditë synon të shënojë por edhe të nderojë refugjatët nga e tërë bota. Kjo ditë është shënuar për herë të parë më 20 qershor 2001, për të kujtuar 50 vjetorin e Konventës për Statusin e Refugjatëve të vitit 1951.

Demokracia.com: Pse është UNHCR ende në Kosovë, me çfarë merreni tani në Kosovë? A përballet Kosova me problemin e refugjatëve?

Erol Arduç: E para, është me rëndësi të sqarohet konteksti i përgjithshëm. Qasja e duhur është që i tërë fenomeni i refugjatëve dhe emigrantëve të shihet si mundësi, e jo vetëm si barrë apo pengesë.

Me këtë qasje, UNHCR operon në shumicën e vendeve të botës, me marrëveshje me vendet pritëse, natyrisht. Fillojmë duke mbështetur ndërtimin e strukturave të nevojshme dhe duke adresuar nevojat kryesore, ato thelbësore.

E pastaj, duke ndërmarrë një proces të ngritjes së kapaciteteve. Por, edhe kur kapacitetet e një vendi janë ngritur deri në atë masë sa autoritetet vendore të marrin mbi vete detyrën e procedimit të çështjeve të refugjatëve, UNHCR ende preferon të qëndrojë në atë vend, që në njëfarë mënyre, të këshilloj për kualitetin e shërbimeve. Kjo prezencë shpesh është simbolike dhe ne këtë e quajmë “përkujdesje me anë të prezencës”.

Në Kosovë jemi prezent për më shumë se dy dekada. Para 20 viteve, nevojat ishin emergjente. Edhe UNHCR ka funksionuar në një model të emergjencës, për t’iu dal në ndihmë nevojave të menjëhershme të popullatës.

Ka qenë e arritur e madhe për organizatën. Edhe vet UNHCR është rritur si organizatë duke u përballur me sfidat që kishte dhe është bërë një organizatë eksperte me njohuri por edhe përvojë.

Me kalimin e viteve, për fat të mirë, rrethanat janë përmirësuar. Tash ende merremi me kthimin e të zhvendosurve por edhe me asistimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve. Por më nuk ka flasim për mijëra, tani janë disa qindra në vit që kanë nevojë për ndihmë në kthim.

Demokracia.com: Çfarë janë nevojat e Kosovës sot pra?

Erol Arduç: E para, janë personat e zhvendosur nga Kosova. Ka refugjatë nga Kosova, për shembull në Maqedoninë Veriore e në Mal të Zi, ka persona të zhvendosur në Serbi, ka persona të zhvendosur përbrenda në Kosovë. Ky është grup i njerëzve që ende kërkon zgjidhje.

Sfidë këtu është që të sigurohet kthim i qëndrueshëm i atyre që dëshirojnë të kthehen, të integrohen në shoqëri, në komunitetin lokal, të punësohen, të arsimohen. Kjo është sfidë e madhe, ende.

Kjo ka kërkuar edhe nga ne të transformoheni, të modernizohemi, të kemi qasje që i përshtatet kohës.

Grupi i tjetër me të cilët përballet Kosova janë azil-kërkuesit apo refugjatët. Numri i tyre ka shënuar rritje graduale në vitet e fundit, por ka rënë shumë vitin e kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti. Këtë mund ta lidhim me faktin që shtetet kanë mbyllur kufijtë dhe kanë kufizuar lëvizjen për shkak të pandemisë. Por, në dy javët e fundit, numrat përsëri kanë ndryshuar, ndonëse nuk jemi as afër numrave që ishin në vitin 2019.

Kryesisht kemi të bëjmë me refugjatë të ikur nga konflikti në Siri e të cilët përfundojnë si azilkërkues në Kosovë.

Për shumicën, Kosova ka qenë vend tranziti e jo destinacion. Por edhe kjo ka ndryshuar. Gjatë pandemisë, shumë nga ata që e kanë menduar vetëm të kalojnë nëpër Kosovën, janë detyruar që të qëndrojnë këtu më gjatë. Para pandemisë kanë qëndruar në Kosovë mesatarisht një javë deri në dy. Ndërsa tani qëndrojnë nga dy apo tre muaj. Pra, gradualisht, Kosova është kthyer edhe në destinacion.

Ne ndihmojmë që këta të mund të vendosen këtu, të marrin leje qëndrimi, të integrohen, të bëjnë jetë të dinjitetshme.

Ne besojmë se mënyra se si e trajton një qenie njerëzore kur është në pikën më të dobët, tregon se çfarë shoqërie në përgjithësi je.

Duhet kuptuar se azilkërkuesit kanë arsye të fortë që të ikin nga vendet e tyre.

Por, është edhe kategoria tjetër, migrantët. Motivet e tyre mund të jenë tjera, që kërkojnë jetë më të mirë, punë më të mirë, edukim më të mirë. Pra, jo detyrimisht janë persona që u ikin persekutimeve, siç është rasti me refugjatët. Refugjatët janë njerëz që nuk kanë ku të kthehen.

Në këtë grup ka njerëz nga Afrika e Veriut e deri te Afganistani.

Demokracia.com: Megjithatë, barra kryesore për t’u marrë me gjitha këto kategori është përgjegjësi e Autoriteteve të Kosovës, a po?

Erol Arduç: E saktë. Në fillim ne procedonim aplikimet, por gradualisht, me kalimin e viteve, i kemi kaluar këto përgjegjësi tek autoritetet lokale, pasi kemi kuptuar se autoritetet vendore janë të afta që të procedojnë aplikimet.

Janë ngritur strukturat në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Neve na mbetet që të bëjmë njëfarë “auditimi”, siç bëjmë në çdo vend tjetër, të sigurohemi se procedurat respektohen, se ka asistencë adekuate.

Demokracia.com: Si qëndron puna me kthimet?

Erol Arduç: Gjatë këtij viti, deri më 31 maj 2021, rreth 233 persona janë kthyer vullnetarisht. Kjo është përgjegjësi e Ministrisë për komunitete dhe kthim. Fondet vijnë kryesisht nga BE, nga programi IPA. Ne kemi rol më shumë këshillëdhënës. Jemi të përqendruar në avokim dhe garantim të shërbimeve kualitative. Pra, më nuk jemi drejtpërdrejtë të përfshirë në implementim.

Demokracia.com: E çfarë është ky bashkëpunim me Autoritetet  Kosovës?

Erol Arduç: Ne bashkëpunojmë me Ministrinë për komunitete dhe kthim si dhe me Ministrinë e punëve të brendshme dhe administratë publike, me departamentet gjegjëse. Kemi bashkëpunim të mirë. Ministritë janë të hapura dhe receptive. Marrin vet iniciativat dhe janë strikte në punë. Kjo, më duhet të them, nuk është shumë e zakonshme në punën tonë. Kemi raste, në vende tjera, ku jo gjithnjë hasim në bashkëpunim si në Kosovë. Pra, kemi bashkëpunim shumë të mirë.

Të ngjashme