Eris Abedini është njëri prej shumë futbollistëve nga Kosova që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare.
22-vjeçari që ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës U21 deri në fund të vitit të kaluar, po aktivizohet me sukses te skuadra spanjolle Granada, shkruan Demokracia.com.
Me Kosovën U21 nuk mund të paraqitet më shkaku i moshës, derisa momentalisht ai është duke u rikuperuar nga një lëndim.
Në një prononcim për Demokracia.com, Abedini ka deklaruar se rikuperimi nga lëndimi po i ecë mirë.
“Nuk jam i ftuar nga Kosova U21 pasi lojtarët e vitit ’99 dhe ’98 nuk mund të paraqiten, vetëm ata pas vitit 2000”, ka thënë Eris Abedini.
Ai zbulon se lëndimi i tij ka të bëjë me gjurin dhe se tashmë ka nisur me vrapime të lehta.
“Lëndimi ka të bëjë me gjurin, këtë javë ia kam nisur ushtrimet dhe shpresoj të kthehem 100 përqind në formë”, deklaroi të martën Abedini.
Ndryshe, me Kosovën U21, Abedini është paraqitur në pesë ndeshje, ka shënuar një gol teksa në disa ndeshje ka qenë edhe kapiten. /Demokracia.com