Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa ankimi do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj do të paraqitet sërish të martën e 11 marsit në sallën e gjyqit, kësaj radhe në shkallën e Apelit të GJKKO-së.
Administratori i kryeqytetit, i cili aktualisht gjendet në paraburgimin e Durrësit, ka kundërshtuar vendimin duke kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa ankimi do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Apeli i Posaçëm ka regjistruar po ashtu edhe kërkesën për ankim të katër personave të tjerë nën hetim për ndryshimin e masës së sigurisë në dosjen e Veliajt.
Më herët, kjo instancë la në fuqi vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e sendeve (përfshirë telefonin personal – ed.) të bashkëshortes së Veliaj, Ajola Xoxa.
Shqyrtimi i ankimit të Xoxës u bë gjithashtu nga gjyqtari Engert Pëllumbi, pas tërheqjes së gjyqtares Iliriana Olldashi.
Për Xoxën, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa ajo kishte kërkuar më herët kthimin e telefonit të saj të sekuestruar gjatë hetimeve.
Xoxës iu sekuestrua telefoni gjatë kontrolleve nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e saj më 6 dhjetor të vitit të kaluar.
Akuzat dhe përgënjeshtrimet në distancë
Gjykata e Posaçme do të përgënjeshtronte më 24 shkurt me fakte deklaratën e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili pretendonte në median sociale “Facebook” se prokurori i çështjes Ols Dado i ishte referuar si “ndyrësirë”.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në ‘Facebook’, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë”, shkruante fillimisht GJKKO-ja.
Institucioni i drejtësisë vërejti më tej se nga verifikimi i bërë në sistemin audio, “të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të Erion Veliajt … konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala ‘ndyrësirë’ nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”.
Këtij reagimi, gjykata i kishte bashkëlidhur edhe një kopje të procesverbalit ku fjala “ndyrësirë” e postuar në mënyrë të rremë nga Veliaj, në të vërtetë ka qenë “s’ke turp” në shkëmbim e sipër të replikave mes palëve.
“Avokati amerikan”
Joshua E. Roberts, i cili punon për studion ligjore Kasowitz Benson Torres, do të jetë i pranishëm në seancën e të martës “në rolin e vëzhguesit”, pa qartësuar asgjë për rolin e tij në vijim të gjyqit pasi dihet që avokati amerikan është mësuar të trajtojë aspekte të ndryshme të çështjeve gjyqësore civile.
Në prezantimin e tij për publikun shqiptar, avokati nisi të listojë veçoritë e sistemit amerikan të drejtësisë, duke harruar në fakt se çështja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj është penale dhe puna e tij në studio është e fokusuar në “çështjet gjyqësore komplekse tregtare”.
Referuar faqes zyrtare të firmës ligjore, bëhet me dije se Roberts përfaqëson “firmat e kapitalit privat, institucionet financiare, korporatat e tregtuara publike, individë me vlerë të lartë neto, drejtues dhe anëtarë të bordit në mosmarrëveshje komplekse dhe me risk të lartë në gjykatat federale dhe shtetërore”.
“Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë”, deklaroi ndërkaq para mediave avokati “transaksional” amerikan.
Përmes një reagimi publik, vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj deklaroi në fakt se studio ligjore do të siguronte “konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike” të kryebashkiakut të arrestuar.
“Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Erion Veliajt. Ky veprim përveçse në lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës”, shkruante ai.
Ndërtimi i ngjarjes
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin rreth orës 14:00 zyrat e Bashkisë Tiranë më 10 shkurt.
Në duar mbanin një urdhër gjykate, të firmosur nga gjyqtari Erion Bani.
Ai ishte urdhëruar nga SPAK-u, dosje që po hetohet nga prokurori Ols Dado, për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Më vete, ata shoqëruan Veliajn nga dera që përdoret zakonisht për vizitat formale në administratën e kryeqytetit.
Pesë biznesmenë janë vendosur po ashtu nën masën e detyrimit të paraqitjes nga Prokuroria e Posaçme.
GJKKO-ja ka dhënë “detyrim paraqitje” për biznesmenët: Gentian Sula; Meriman Palushi; Fatmir Bektashi; Sokol Kryeziu; Shkëlqim Fusha.
Në pranga përfundoi edhe biznesmeni Elman Abule, i cili është i lidhur ngushtë me Veliajn.
Madje, SPAK zbuloi gjithashtu se po kryen hetime paraprake ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka.
SPAK doli me një njoftim zyrtar për shtyp rreth arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, duke sqaruar edhe arsyet.
Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart.
Erion Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa “kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm”, vëren fillimisht SPAK.
Përmes këtij të fundit, është synuar dhe është bërë e mundur, në praktikë, “marrja e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes Veliajt, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.
SPAK-u shton se në të paktën dhjetë raste, krijohet “dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive” nga Veliaj, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Çfarë ka bërë Xoxa me to ndërkaq edhe më flagrante, pasi SPAK-u raporton se në një periudhë prej katër vitesh, ajo ka bërë blerje online, të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj., në masën 86 milionë e 721 mijë e 175 lekë.
Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Vlera e konvertuar në euro kap shifrën prej mbi 860 mijë eurosh.