Lajme
Erdogan tha se nuk do të kandidojë më për president: Turqia po ndryshon
Demokracia
17:12 | 22 Maj 2025

Share:

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se nuk ka ndërmend të rikandidojë për president, duke theksuar se vendit i nevojitet një kushtetutë e re që të pasqyrojë frymën e epokës moderne dhe vlerat demokratike.

“Nuk kam ndërmend të rikandidoj për president. Qëllimi ynë i vetëm është përmirësimi i reputacionit të vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon. Jetojmë në një epokë të re. Mendoni se në një botë kaq dinamike mund të ecim përpara me një kushtetutë të hartuar gjatë një grushti shteti, që ende përçon mentalitetin e puçistëve? Turqia nuk mund të përparojë më me një kushtetutë të tillë. Na nevojitet një kushtetutë e propozuar nga civilët, jo nga puçistët”, tha ai, sipas agjencisë Anadolu.

Lideri turk prej kohësh është avokues i miratimit të një kushtetute të re, e cila, sipas tij, do të ishte “më demokratike, më civile dhe në përputhje me nevojat bashkëkohore të shoqërisë”.

Kushtetuta aktuale e Turqisë u miratua në vitin 1982, pas grushtit ushtarak të vitit 1980, dhe ndonëse është ndryshuar disa herë, kritikët pretendojnë se ajo ende mban karakteristikat e një sistemi autoritar dhe logjikën e një regjimi ushtarako-puçist.

Opozita, nga ana tjetër, shpesh shpreh dyshime për qëllimet e Erdoganit, duke pohuar se reformat e tij synojnë forcimin e pushtetit personal dhe shtypjen e institucioneve të pavarura. Megjithatë, deklarata e tij për tërheqje mund të hapë rrugën për një dinamikë të re politike, veçanërisht përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Erdogan u rizgjodh për herë të tretë si president i Turqisë në vitin 2023 dhe do të qëndrojë në këtë post deri në vitin 2028.

Analistët vlerësojnë se çështja e kushtetutës së re mund të bëhet temë qendrore në vitet në vijim, pasi përcaktimi i kuadrit kushtetues do të ndikojë drejtpërdrejt në rregullat e lojës politike në Turqinë pas Erdoganit.

Të ngjashme