Lajme
Erdogan refuzon sërish: “Jo” e re nga Turqia
Demokracia
18:17 | 15 Qershor 2022

Share:

Turqia ka refuzuar propozimin e NATO-s për të zhvilluar bisedime trepalëshe me Finlandën dhe Suedinë.

Takimi, i cili ishte planifikuar paraprakisht për të mërkurën, nuk u mbajt, shkruan “Financial Times”, duke iu referuar burimeve të njohura me bisedimet, transmeton Demokracia.com.

Sipas raportit, bisedimet kishin për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për problemin që Ankaraja nuk e miraton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë.

Sipas burimeve, përpara zhvillimit të negociatave të mundshme trepalëshe, Ankaraja kërkoi që Helsinki dhe Stokholmi të bënin propozime konkrete për të shkëputur lidhjet me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit të ndaluar në Turqi, për të cilën pala turke i akuzon.

“Takimi trepalësh me ndërmjetësimin e Aleancës ishte ‘qëllimi përfundimtar… por ne nuk e kemi arritur ende atë’,” shkruan gazeta, duke cituar një burim të NATO-s.

Kujtojmë se për shkak të ngjarjeve në Ukrainë më 18 maj, Finlanda dhe Suedia i paraqitën kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për anëtarësim në Aleancë.

Turqia ka bllokuar fillimin e procesit të shqyrtimit të këtyre aplikacioneve. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Ankaraja nuk mund t’i thotë “po” anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, sepse nuk mund t’u besonte garancive të tyre për marrëdhëniet me përfaqësuesit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e ndaluar në Turqi.

Kremlini vlerësoi se një hap i tillë paraqet rrezik ekzistencial për vendin, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zaharova, së fundi deklaroi se Rusia ka paralajmëruar Finlandën dhe Suedinë për pasojat e anëtarësimit të tyre në NATO. /Demokracia.com/

Të ngjashme