Lajme
Erdogan: Fyerja e myslimanëve nuk është liri e mendimit
Demokracia
17:30 | 29 Qershor 2023

Share:

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, denoncoi Suedinë për lejimin e një proteste gjatë së cilës një person dogji disa faqe të Kuranit, duke mjegulluar më tej shanset e vendit nordik për t’u bërë vend anëtar i NATO-s.

Irakiani Salwan Momika, 37 vjeç, i cili jeton në Suedi e kreu protestën jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit pasi policia suedeze dha leje për mbajtjen e këtij aktiviteti.

“Ne do t’i mësojmë përfundimisht perëndimorët arrogantë se fyerja e myslimanëve nuk është liri e mendimit”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.

Në Irak një numër protestuesish u futën në ambasadën e Suedisë në Bagdad të enjten, të zemëruar nga djegia e Kuranit në Stokholm.

Një turmë mbështetësish të klerikut shiit, Moqtada Sadr, qëndruan brenda kompleksit për rreth 15 minuta, më pas u larguan ndërsa forcat e sigurisë u vendosën në objekt.

Protesta ndodhi pasi Momika shkeli librin e shenjtë të myslimanëve dhe ndezi disa faqe të tij përpara xhamisë më të madhe të Stokholmit.

Ky incident thelloi mospajtimet mes Ankarasë dhe Stokholmit, teksa Turqia ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO./ rel

Të ngjashme