Lajme
Erdhi dita ta shohim Albin Kurtin në mbrojtje të zjarrtë të Zajednicës, që alarmonte se e sjellë Rusinë në Ibër dhe e pranojnë vetëm serbofilët
Demokracia
15:44 | 03 Nëntor 2023

Share:

Nga e njëjta foltore, ku si opozitar për 10 vjet mbante fjalime të zjarrta kundër Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Albin Kurti, tani si kryeministër është hedhur në mbrojtje të paprecedent të të njëjtit projekt, i cili më 27 shkurt 2023, në Bruksel ka marrë trajtë më të rrezikshme për unitaritetin e shtetit të Kosovës, me pranimin nga ana e tij të Nenit 7 (Vetëmenaxhimin për serbët në Kosovë).

Çuditërisht, edhe pse Neni 7 i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) siguron një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe e zyrtarizon statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kryeministri Albin Kurti e ka llogaritur si arritje të madhe që këtë nen e ka shtuar në marrëveshjen e përgjithshme me Serbinë.

Në fjalimin e tij, Kurti është munduar që Nenin 7 ta ndërlidh me dialogun e kaluar, por ai ka “harruar” të tregojë se ‘Vetëmenaxhimi’ nuk është përmendur asnjëherë më parë, as në marrëveshjet e kaluara, shkruan Demokracia.com.

“Marrëveshja Bazike [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksi i saj [Ohër, 18 mars 2023] në 6 rreshtat e preambulës dhe pesë nenet e para e ka njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. Pesë nenet tjera janë përgjithësisht nene përfituese për të dy palët dhe vetëm një nen, ai 7 ndërlidhet me trashëgiminë nga dialogu i dekadës së kaluar. Neni 7 është po ashtu rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, ka thënë Kurti më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Në pjesën e parë të këtij neni thuhet se “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, thuhet se “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“Zajednica” e kundërshtuar më së shumti nga Kurti, ka gjetur vend në Nenin 10 të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Në një nen të vetëm, Kurti ka pranuar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë arritur në dialogun Kosovë – Serbi, ku bënë pjesë edhe Zajednica / Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Deklaratat e Kurtit kundër Zajednicës janë me dhjetëra e qindra. “Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit, në Mitrovicë”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”, janë vetëm disa nga këto deklarata. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

“Zajednica ka vdekur, ta ringjallësh është nacionalizëm serb”| Një ditë para takimit të Ohrit, Kurtit i kujtohen deklaratat e fuqishme kundër Zajednicës

VIDEO | Albin Kurti: Zajednica e kthen Serbinë në Kosovë, sjellë luftë për brezin e ardhshëm dhe nuk mund të hiqet pa gjakderdhje

Fundi i mashtrimit të madh që ngulfati shtetin e Kosovës | A duhet t’i kërkojnë falje qytetarëve, Albin Kurti dhe Vetëvendosje?

Të ngjashme