NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ
Pikësëpari, mbetet i përbotshëm definicioni: “Demokracia nuk është e përsosur, por ndërsa nuk kemi provuar ende një tjetër, mbetet sistemi më i mirë për shoqërinë njerëzore”. Pra, me gjithë shumë problematika, demokracia mbetet opsioni më i mirë, pasi në themelet e saj ka votën e lirë, si dhe vlerat fondamentale të qytetarit: “respektin për jetën, familjen, pronën, dinjitetin dhe besimin te Zoti”. Në të kundërt, diktaturat, shtetet e dështuara nga demokracia fasade, fuqia e gjithë-pushtetshmëve, interesat e oligarkisë dhe korrupsioni endemik sundojnë duke vjedhur (blerë shitur, manipuluar) votën dhe më tej nëpërkëmbur vlerat themelore të qytetarëve (vetë sovranit).
Mbas 34 viteve të pluralizmit dhe demokracisë fasadë, disa pyetje ndoshta miliarda euro mbeten: “Pse psh., Sllovenia e ka GDP-në 75 miliardë euro, ndërsa Shqipëria me 2-fishin e mundësive ekonomike e ka rreth 27 miliardë euro?!. Pse ende dallon si “dita me natën, Saranda me Korfuzin, Brindizi me Vlorën, Ulqini me Shkodrën”?! Pse 12 vitet e fundit 1 milion qytetarë e kanë braktisur vendin e bekuar nga pasuritë, pozita gjeografike dhe Perëndia? Pse edhe mbi 70% e të rinjve shqiptarë në mungesë të shpresës, dëshirojnë t’ia mbathin nga sytë-këmbët (= se në vendet në luftë, Siria, Ukraina, Rusia, Afganistani etj.)?!
Përtej realitetit shqiptar, e njëjta pyetje vërtitet rreth dallimit mes Koresë së Veriut të (Kim-Jongut) me atë të Jugut?! Standardeve të sigurisë dhe të jetesës së kanadezëve dhe rusëve, si dhe për të dyja anët e murit-digjital që ndan 2 qytetet me të njëjtin emër (Nogales) mes USA/Arizonës dhe Meksikës?!
Sigurisht janë edhe arsye të tjera dhe të drejta njerëzore, por më thelbësore mbetet “mungesa dëshpëruese e përgjegjësisë dhe së drejtës së qytetareve për të votuar të lirë”, ose për të zgjedhur udhëheqësit që do i qeverisin, çka për pasojë mbetet edhe thelbi i mungesës së mekanizmave të demokracisë funksionale. Prandaj jo vetëm diktatorët gjakatarë të sojit të Kim-Jong-ut, Putinit etj., por edhe autokratët me kollare demokratike, pasi vjedhin ose blejnë votën e qytetarëve, si “kryetarë bandash” pushtojnë partitë politike, shpërdorojnë fuqinë e (mbi)pushtetit, përmjerrin mediat, dorovisin pasuritë kombëtare, grabisin të drejtat, pronat e qytetarëve si dhe vrasin shpresën për integrimin evropian të vendin. Fatkeqësisht, 34 vjet mbas përmbysjes së diktaturës, RSH mbetet i vetmi vend në Europë, përfshi Bosnjën dhe Kosovën, që ende nuk ka tejkaluar “ylberin blu nga vjedhja ose numërimi stalinist i votave edhe brenda partive politike”, si edhe nga zgjimi epsheve demoniale për të mbajtur përjetësisht pushtetin.
Së dyti, sigurisht nuk jam as pronar dhe as profet i së vërtetës shteruese të përcaktoj: “Kush është djalli dhe kush engjëlli”. Por, ngaqë kam vetëvendosur për të mos heshtur, po ndaj shqetësimin ulëritës për demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale në 1990), çka e përsëris mbetet qendra e gravitetit të krizës politike si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale.
Thënë këtë, refuzoj me përbuzje t’i bashkohem korit të sekserëve, se: “faji apo zgjidhja do na vijë nga bota”, deri te çartisjet qesharake se “rotacioni politik do vijë si me magji nga z.LaCivita, ose do përshpejtohet nga Komisionerja znj. Kos, apo kushdo bën resme në Uashington”. Ashtu siç edhe përsëris neverinë për privatizimin e dashurisë për memëdhenë apo datën/ngjarjet e integrimit në NATO dhe BE. Pra, përgjegjësinë për këtë terexhe-demokraci nuk na e ka bota, por ata/ato që pranojnë t’ju vjedhin ( ose shesin) votën! Veçanërisht pas 2008-ës, kryetarët e gjithëpushtetshëm dhe emëruarit deputetë, ministra, drejtore etj., pasi kanë privatizuar partitë politike, kanë vjedhur votat, mandatet (si psh. deputeti i bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve si dhe dorivitur oligarkëve pasuritë publike. Ndërsa, sot më shumë se kurrë më parë që nga 1991 kërcënojnë shpresat e shqiptarëve te rotacioni politik dhe demokratik i pushtetit. Praktikisht, Shqipëria nuk po përjeton parajsën e premtuar në 11 pale zgjedhje, por “Krizën më të rëndë të demokracisë prej 1997; shtetit të kapur nga korrupsioni; privatizimi i partive politike si dhe fuqia e pamposhtur elektorale e të gjithëpushtetshmit”.Psh., Shqipëria në Kushtetutë përcaktohet Republikë Parlamentare, por Parlamentit i ka mbetur zero peshë (përveç borderosë së pagave të Kuvendit), pasi psh., në 12 vite, asnjë rezolutë, marrëveshje dhe ligj nuk është miratuar me konsensus: “Përveç ligjit të turpshëm për listat e leckosura, pra emërimin e mbi 90 deputetëve nga super-kryetarët ose një puç modern kushtetues”.
Për partinë në pushtet (ish-PS), besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e 12 viteve më parë: “Për të ndalur braktisjen e vendit, punësimin e 300 mijë të rinjve dhe shëndetësinë falas; zero korrupsion, zero taksa për naftën, bukën, vezët; zero influence politike mbi koston e rrugëve, inceneratorët ambientalistë, koncesionet ose dorovitjet allasulltanatë etj.”. Ndërsa Tigri/nr. 2 i qeverisë arratiset si banditët e Xhibutit; Veliaj/ Pushtetari nr.2 në qeli për “veprimtari kriminale”; ministra, deputetë, etj., që erdhën më 2013 si “skuadra e qiejve të pastër” flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut! Pavarësisht kësaj, fuqia e të (gjithë)pushtetshmit e ka gjunjëzuar demokracinë, institucionet dhe administratën shtetërore (+200 mijë patronazhistë dhe 740 mijë pensionistë), sikur RSH të ishte Burkina Faso dhe jo vend i NATO-s.
Nga ana tjetër, opozitën zyrtare (PD), e gjej jo vetëm bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për humbjet në 12 vjet dhe për këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar, por edhe të rraskapitur nga betejat turpëruese për vulën dhe bravat, fjalimet (d)elikuente, djegia e karrigeve dhe bejtet folklorike! Ndërsa me papërgjegjshmëri mëkatare vijojnë t’i “zvarrisin dhe poshtërojnë demokratët me primaret e para/pas leckosura, aleancat e damkosura si dhe duke ricikluar listën e humbësve në 3 zgjedhjet e fundit parlamentare (49 deputet në 2013; vetëm 43 në 2017 dhe 52 në 2021) si dhe me mëkatar të korruptuar dhe të paditur deri në neveri, ose edhe ekstremist me precedent në akte terroriste ndaj RSH”!
Do të lutesha dhe uroja të isha gabim, por përtej tallavasë mediatike përpjekjet për të krijuar një pol/mundësi të tretë, fatkeqësisht “do mbeten në tentativë”, me zero ose një numër pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave (pronarët) politike si dhe të tranzicionit të tejzgjatur, për sa kohë që bashkimi i tyre mbetet një mision i pamundur i egocentrikëve, delirantëve, cinikëve dhe mllefeve primitive.
Së treti: Në 34 vjet, ushtria e kamikazëve të super-kryetarit të radhës, pasi vjedhin votat, përdhosin votuesit, partitë reciproke, demokracinë, institucionet dhe shtetin ligjor. Dhe për sa kohë që vidhen apo blihen votat, pyetje të tjera riciklohen: “pse s’bëhemi (?), pse devijojmë dhe rrëshqasim “me brohoritje bollshevike” në autokraci?! A është e mundur dhe kur do të bëhet Shqipëria demokratike, si SHBA dhe gjithë Europa?! “Shqipëria do të bëhet, por a do ta jetoj unë…”, është kthyer në legjendë, makth, mallkim dhe stafetë gjeneratash! Duke e gjetur aktuale këtë manifest të Frashëllinjve, u bëj thirrje arsyeve fisnike të mbarë shqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i përgjegjësisë si dhe i fuqisë së votës së lirë, pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSH. Të paktën asnjë politikan nuk mundet dhe nuk do të duhej të bëjë triumfalin apo të krenohet për këtë degradim të demokracisë. Thënë këto, “nuk ka vend fare për Mic Sokola, as për patronazhistë të flaktë, as për demokrat të tërbuar, sigurisht as për udhëheqës të madhërishëm”. Por fare thjesht, vetëm për qytetarë të zakonshëm, politikanë kokulur, shtetarë vizionarë si dhe të përgjegjshëm para qytetarëve dhe interesave kombëtare.
Prandaj, përtej riciklimit të tallavasë së “parajsës pas 100 ditëve të para”, zgjimi i përgjegjësisë qytetare në zgjedhjet 11 majit nuk është lufta për të ndërruar “udhëheqësin suprem të partisë qeverisëse dhe listën e borderosë se kuvendit”, por është beteja për rikthimin 100% të fuqisë së votës ose “pushtetit të vjedhur” në duart e qytetarëve dhe bashkë me këtë, pronat, dinjitetin dhe të ardhmen europiane të RSH.
Në shtesë thënë sa më sipër, refuzoj të bëhem pjesë e kujës së egocentrikëve të sëmure: “Nuk bëhet ky vend, është i mallkuar” apo relativizimit cinik “të gjithë janë njësoj, pra kusarë”!
Dhe për ta ilustruar që nuk janë njësoj, po sjell një shembull si dhe ju ftoj ta votoni më 11 maj, doktor Ilir Alimehmeti, për qetësinë qytetare, rrënjët fisnike, forcën e arsyes, dashurinë për vendin, integritetin e spikatur dhe përgjegjshmërinë politike (duke e përçmuar/sfiduar publikisht betejën kamikaze për listat e sigurta). Bashkë me këto, dr. Iliri mbart shpresën se Shqipëria do të bëhet demokratike, edhe për inat të politikanëve zullumqarë, që duke vjedhur/ blerë votat kanë privatizuar partitë politike, pronat publike, kanë përmjerrë mbi balancat dhe institucionet kushtetuese si dhe sundojnë shqiptarët në 34 vitet e fundit.
Me këtë rast, falënderoj dhjetëra mijëra kolegë/ushtarakë (brenda dhe jashtë vendit), intelektualë dhe patriotë të përkushtuar, si dhe qytetarë të zakonshëm në hapësirën mbarëkombëtare, për konsideratat si dhe mesazhet inspiruese në angazhimin tim politik. Ndërsa për këdo të revoltuar, me duhet të përsëris qetësisht dhe fort se: “Nuk po angazhohem për t’u punësuar deputet në borderonë e Kuvendit”, por: “vetëm për të kontribuar me eksperiencën euroatlantike si dhe përgjegjshmëri politike në domosdoshmërinë ulëritëse që ka kombi, demokratët, socialistët dhe mbarë shqiptarët për rotacionin politik të pushtetit”.
Në përmbledhje, iu bëj thirrje vëllazërore bashkëqytetarëve që: “përtej demonizimit të mbi-Pushtetshmit dhe pafuqisë dëshpëruese të opozitës”, të përbashkohemi rreth votës së lirë si dhe misionit të shenjtëruar për rikthimin e RSH në shinat e demokracisë funksionale, si SHBA dhe gjithë Europa.