OpEd
Energjia diellore: Evropa synon të dalë nga hija e Kinës
Demokracia
17:41 | 24 Mars 2023

Share:

Nga: Yuan Yang (Londër), Alice Hancock (Bruksel) dhe Laura Pitel (Berlin) / The Financial Times

Në mbledhjen vjetore të lobit të energjisë diellore të Evropës, gjatë këtij muaji në Bruksel, drejtuesit e industrisë e çmuan përhapjen e shpejtë të paneleve në të gjithë rajonin – pas tërheqjes nga gazi rus.

Duke qëndruar prapa pajisjeve për DJ, Walburga Hemetsberger – shefe ekzekutive e SolarPower Europe – tha se nata duhet të jetë “festa më e mirë ndonjëherë”, duke shtuar se vitin e kaluar industria evropiane kishte thyer rekordet në instalimet e paneleve solare [diellore]. Por, zyrtarët e BE-së që folën në të njëjtën ngjarje, mendjen e kishin te një sfidë edhe më të madhe.

“Kalimi nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme nuk duhet të nënkuptojë zëvendësimin e një varësie me një tjetër”, njoftoi komisioneri i Energjisë, Kadri Simson, i cili vitin e shkuar e kaloi duke i finalizuar përpjekjet e bllokut për ta zmbrapsur veten nga gazi rus.

BE-ja dëshiron që, deri më 2030, energjia solare ta përbëjë burimin e saj të vetëm më të madh të energjisë. Kjo nënkupton pothuajse trefishimin – gjatë shtatë viteve të ardhshme – e kapacitetit të saj të prodhimit të energjisë solare. Megjithatë, siç ua kujtoi Simson delegatëve, më shumë se tri të katërtat e importeve të paneleve solare të BE-së, në vitin 2021, “ishin nga një vend i vetëm”.

Ai vend, Kina, është furnizues kritik për tranzicionin e gjelbër të Evropës. Megjithatë, në vazhdën e krizës ruse të karburanteve dhe të ndërprerjeve pandemike të zinxhirit të furnizimit, zyrtarët dhe kompanitë evropiane janë gjithnjë e më të kujdesshme për t’u mbështetur në një vend për t’i përmbushur nevojat e veta për pajisjet e gjenerimit – veçanërisht duke pasur parasysh se prodhimi është i përqendruar në një rajon ku ka pasur akuza të përhapura për shkelje të të drejtave të njeriut.

Me administratën e Bidenit që derdh qindra miliarda dollarë subvencione për energjinë e pastër – sipas Aktit të Zvogëlimit të Inflacionit të ShBA-së – dhe në kohën e rritjes së kino-skepticizmit në Evropë, disa zyrtarë të BE-së po e përdorin rastin për rigjallërimin industrial të vendeve.

“Është moment hamiltonian”, thotë Raphaël Glucksmann, anëtar i Parlamentit Evropian që shërben në Komitetin e Tregtisë Ndërkombëtare, duke iu referuar krijimit të një shteti të fortë federal amerikan. “Tridhjetë vjetët e derregullimit dhe të politikës së tregtisë së lirë në Evropë, në mënyrë ironike çuan në triumfin e Partisë Komuniste Kineze”.

“Evropa sërish duhet t’i prodhojë gjërat. Nuk mund të jemi kontinent konsumatorësh. Kemi mësuar nga pandemia dhe nga lufta se kur ka përçarje të tregut, atëherë jemi të humbur dhe të zhveshur”.

Përgjigja e Komisionit ka qenë futja e Akti Net Zero për Industrinë (NZIA), i projektuar për të nxitur prodhimin e teknologjive “strategjike”, përfshirë infrastrukturën solare dhe të tjerat të energjisë së rinovueshme në hapësirën tonë. Ligji, i propozuar javën e kaluar, thotë se BE duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme të prodhimit të energjisë së pastër për të përmbushur të paktën 40 për qind të nevojave gjeneruese.

Por, aktualisht, kontinenti prodhon më pak se gjysmën e kësaj dhe tashmë ka paralajmërime se propozimet janë joreale. “Nuk mund të shkojmë aq shpejt sa për të përmbushur kërkesën evropiane”, thotë Steven Xuereb, drejtor i kompanisë së sigurimit të cilësisë solare, PI Photovoltaik-Institut Berlin. “Të gjithë janë të emocionuar për fabrikën e re [Enel] në Sicili, e cila do të prodhojë 3GW. Gjigantët kinezë po shpallin fabrikat e reja me 20GW.”

Kompanitë evropiane të energjisë diellore thonë se duhet të ketë më shumë fonde për ta çuar industrinë në atë nivel. Ata gjithashtu thonë se masat në aktin e propozuar, për t’i dhënë përparësi prodhimit vendor në kontratat e prokurimit publik dhe për subvencionet e konsumatorëve, mund të rrisin kostot në shkallën që ndikon në interesimin.

“Nëse projektohet keq, NZIA rrezikon ta kthejë sektorin 20 vjet prapa”, thotë Kareen Boutonnat, shefe ekzekutive për Evropën dhe Azinë Paqësor në Lightsource bp, një nga zhvilluesit më të mëdhenj të teknologjisë solare në rajon. “Askush nuk interesohet për burimet e kushtueshme të rinovueshme”.

Rebusi i BE-së ka njëfarë ironie historike për këtë. Evropa dikur ishte prodhuesi më i madh në botë i energjisë solare, duke prodhuar 30 për qind të të gjithë paneleve fotovoltaikë më 2007. Por, një shtysë e madhe e politikës industriale bëri që prodhimi kinez të rritej dhe që çmimet të bien, në kohën kur Evropa po vuante pasojat e krizës financiare të vitit 2008.

Në vitin 2012, Komisioni Evropian nisi një hetim anti-damping për importet kineze të paneleve solare; ndërsa vitin e ardhshëm e vendosi një taksë me gati 50 për qind për këto importe.

Ky vendim e futi BE-në në mosmarrëveshjen më të madhe tregtare me Kinën. Pekini kërcënoi me tarifa hakmarrëse për verën dhe makinat luksoze. Komisioni Evropian u tërhoq nga propozimet e fillestare, dhe në vend të kësaj ra dakord me Pekinin për një çmim të ulët për panelet solare, në dëm të lobit evropian të prodhuesve solarë. Kulmi i çmimeve u ul më vonë më 2018.

Përleshja tregtare e viteve 2012-13 i zbuloi elementet e tensionit Evropë-Kinë, ato që mbeten edhe sot. Shtetet anëtare ishin të ndara në lidhje me propozimin e Komisionit, duke mos dashur të rrezikonin marrëdhëniet e veta tregtare me Kinën, ndërsa përfitonin gjithashtu nga panelet e lira solare që e hoqën presionin nga subvencionet e tyre të energjisë së gjelbër.

Politikëbërësit “ishin kundër nivelit të strategjisë industriale të planifikuar nga kinezët … dhe nuk bënin sa duhet për prodhimin e mjaftueshëm evropian për t’i bllokuar kinezët”, thotë Dries Acke, drejtor i politikave në SolarPower Europe.

Rezultati ishte shfaqja e Kinës si lideri i padiskutueshëm botëror në teknologjinë e energjisë solare. Që nga viti 2011, vendi ka investuar mbi 50 miliardë dollarë në kapacitetin e ri të prodhimit të paneleve solare, dhjetë herë më shumë se Evropa – kjo sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

Kjo rritje e kapaciteteve ka çuar në çmimet e lira që mundësuan instalimet rekorde diellore në Evropë. Sipas IEA-së, megjithëse Evropa importoi 26GW të paprecedentë të moduleve fotovoltaike në vitin 2021, fatura ishte vetëm sa një e treta e kostos së vitit 2010 kur i importoi vetëm 15GW.

Bizneset dhe qeveritë në Evropë tashmë janë të shqetësuara për rreziqet e mbështetjes së tepërt – jo vetëm në një vend të vetëm, por në një numër të vogël të prodhuesve shumë të mëdhenj përbrenda atij vendi. Një seri shpërthimesh në vitin 2020, në një fabrikë të madhe polisilikoni në Kinë – e drejtuar nga GCL-Poly Energy – eliminoi rreth 10 për qind të furnizimit global dhe i shtoi çmimet me 50 për qind.

Ekzistojnë gjithashtu çështjet serioze etike rreth prodhimit të polisilikonit në Kinë, të lëndës së parë kryesore për panelet solare. Rreth dy të pestat e prodhimit global janë të përqendruara në Sinkiang, rajon veriperëndimor ku qeveria ka orkestruar një goditje të madhe ndaj ujgurëve dhe banorëve të tjerë myslimanë. Gazetarët dhe studiuesit, duke përdorur imazhe satelitore dhe intervistat me të burgosurit e liruar, kanë dokumentuar vendosjen e fabrikave të ndryshme përbrenda qendrave të paraburgimit, ku të burgosurit detyrohen të punojnë.

Derisa Pekini thotë se politikat e tij në Sinkiang janë për të luftuar terrorizmin dhe për të nxitur zhvillimin, nivelet e larta të detyrimit në politikat për t’i “asimiluar” myslimanët ujgurë bëjnë me dije se është e vështirë të ndahen programet e punës së detyruar nga ato vullnetare. Hulumtimet nga Laura Murphy e Universitetit e Shefildit, kanë zbuluar gjithashtu se të paktën dy kompani të mëdha solare, Xinjiang Hoshine dhe JinkoSolar, kanë impiante në parqet industriale që strehojnë gjithashtu burgjet ose kampet e internimit. Asnjëra kompani nuk iu përgjigj kërkesës së dërguar me email, për të komentuar.

Në vitin 2022, ShBA-ja nisi të bllokojë importet që përmbanin përmbajtje të prodhuar në Sinkiang, pavarësisht kritikave të kompanive të instalimit të paneleve solare. Dy politika funksionojnë përmes Parlamentit Evropian e që mund të çojnë në pengesat për importet e paneleve solare nga Kina: direktiva e kujdesit të duhur për qëndrueshmërinë e korporatave dhe rregullimi i punës së detyruar. Të dy ato do të kërkojnë marrëveshje midis Parlamentit dhe 27 vendeve anëtare të BE-së.

Glucksmann, që është përgjegjës për hartimin e një prej qëndrimeve të Parlamentit Evropian për rregullimin e punës së detyruar, propozon qasje të ngjashme me atë të mbështetur nga Maria Manuel Leitão Marques – nga ligjvënësja portugeze që drejton negociatat për çështjen. Kjo përfshin kompanitë që operojnë në industri dhe zonat me rrezik të lartë që duhet të dëshmojnë se produktet e tyre nuk janë bërë duke i përdorur kushtet e këqija të punës – pasqyrim i modelit të “prezumimit të mohimit” të ShBA-së, për importet nga Sinkiangu.

Grupet e aktivistëve nën ombrellën e Koalicionit për t’ia dhënë fundin punës së detyruar në rajonin e ujgurëve, për t’i bllokuar importet nga Sinkiangu po shtrojnë gjithashtu padi në vendet si Britania e Madhe dhe Irlanda,

Shumë kompani kineze të paneleve solare tashmë e kanë lëvizur furnizimin e tyre me polisilikon, nga Sinkiangu në Mongolinë e Brendshme [rajon në Kinë], pas bllokimit të importit të vitit të kaluar nga ShBA-ja. Astronergy, prodhues i paneleve solare, hapi një fabrikë në Tajlandë posaçërisht për klientët amerikanë, duke përdorur polisilikonin e prodhuar nga Wacker Chemie në Gjermani.

Gunter Erfurt, shefi ekzekutiv i prodhuesit zviceran të teknologjisë solare, Meyer Burger, thotë se kompanitë më të vogla në zinxhirin e furnizimit solar kanë frikë se rregullat e ardhshme të BE-së “mund ta bllokojnë furnizimin dhe të mos bëjnë sa duhet për të qenë të sigurt për sigurimin e burimeve alternative”.

Qeveria e Kinës po fillon gjithashtu të kufizojë eksportin e disa teknologjive të përdorura në prodhimin e vaferave që formojnë bazën e qelizave solare, duke i bërë jehonë përdorimit të listave të zeza të tregtisë që përdor ShBA-ja për ta shkëputur Kinën nga zhvillimi i industrisë gjysmëpërçuese vendore.

Rebecca Arcesati, analiste për inovacionin Kinë-Evropë në think-tankun Merics, thotë se propozimet e Pekinit për ta kufizuar transferimin e teknologjisë, ishin “kundërshtim” ndaj përpjekjeve të ShBA-së dhe BE-së për t’i ndërtuar zinxhirët alternativë të furnizimit me teknologji të pastër.

“Ashtu si ShBA-ja, Kina dëshiron që të jetë në gjendje që të mbrojë dhe përdor si armë pikat teknologjike që ajo kontrollon,” thotë ajo.

Por, edhe pse po afrohen kufizimet e mundshme për furnizimet nga Kina, pengesat e mëdha qëndrojnë përpara planeve të Evropës për vetëmjaftueshmëri më të madhe në teknologjinë solare.

Një nga pengesat kryesore të Evropës, në zinxhirin e furnizimit, është prodhimi i shufrave dhe vaferave të silikonit që përdoren në prodhimin e qelizave solare, thotë Johannes Bernreuter, themelues i firmës së kërkimit të tregut të polisilikonit, Bernreuter Research. Dy fabrika të tilla të prodhimit mbeten në Norvegji, të drejtuara nga Norsun dhe Norwegian Crystal.

Erfurt, nga Meyer Burger, i përshkruan prodhuesit norvegjezë si “dy njerëzit e fundit në këmbë”, ndërsa Bernreuter shton se për sa kohë që prodhimi i tyre mbetet rreth 1GW – ose më pak çdo vit – ka pak nxitje për furnizuesit e tyre në rrjedhën e kundërt të polisilikonit, si Wacker Chemie e Gjermanisë, për të zgjeruar prodhimin e tyre. Wacker, i vetmi prodhues evropian i polisilikonit të çdo niveli, tashmë po përqendrohet më shumë në prodhimin e silikonit për industrinë e gjysmëpërçuesve.

Jo vetëm që kompanitë kineze dominojnë prodhimin botëror të polisilikonit, por vendi është bërë gjithashtu lider botëror në teknologjinë që e kthen lëndën e parë në shufër dhe vaferë. “Prodhuesit evropianë të pajisjeve u tërhoqën nga tregu solar, sepse ata kinezë ishin më të lirë”, thotë Bernreuter. “Nëse duhet të kthehen në skenë, do të jetë një pengesë e madhe për t’i siguruar pajisjet konkurruese”.

Çështja është se sa shpejt BE-ja mund t’i krijojë zinxhirët e rinj të furnizimit, të nevojshme për t’i arritur qëllimet e veta të energjisë së rinovueshme. Sjellja e kompanive kineze në këtë lojë do të përshpejtonte tranzicionin, thonë lojtarët e industrisë.

Mario Kohle, shef ekzekutiv i instaluesit të paneleve solarë, Enpal, thotë se “kapacitetet e prodhimit kinez janë absolutisht të shkëlqyeshme dhe shumë më para kapaciteteve prodhuese perëndimore – kur bëhet fjalë për energjinë solare dhe për bateritë”.

Një tjetër ekzekutiv i industrisë komenton se “nëse tamam duam të jemi të suksesshëm në rivendosjen e zinxhirit të vlerës në Evropë, na duhet Kina … Kompanitë kineze duhet të jenë të mirëseardhura për të investuar në Evropë”.

Por, ata paralajmërojnë se kostot e energjisë do të duhet të bien përpara se kjo të ndodhë. Prodhimi i polisilikonit dhe fabrikimi i shufrës bëhet me energji intensive dhe çmimet e energjisë elektrike industriale të Kinës janë në intervalin 60-80 dollarë për MWh, duke përjashtuar subvencionet – kjo sipas IEA-së. Edhe para se pushtimi rus i Ukrainës t’i çonte çmimet evropiane të energjisë dukshëm në nivel më të lartë, çmimi mesatar i energjisë në BE ishte 130 dollarë për MWh.

“Nuk do t’i investojmë miliardat [në Evropë] nëse nuk e dimë se do të kemi kosto konkurruese dhe të parashikueshme të energjisë”, thotë një ekzekutiv i lartë nga një kompani e madhe evropiane në zinxhirin e furnizimit solar.

Instituti Breakthrough, një think-tank me bazë në Kaliforni, thotë se intensiteti i karbonit nga prodhimi në Kinë, ku energjia elektrike prodhohet kryesisht nga djegia e qymyrit, është argument i fuqishëm për lëvizjen e zinxhirëve të furnizimit në rajone më të varura nga burimet e rinovueshme në Evropë.

Por, Seaver Wang, bashkëdrejtor i Programit për Klimë dhe Energji në këtë institut, thotë se kontinenti do të ketë gjithashtu nevojë për partnerë të huaj. “Bazuar në përvojën industriale dhe kostot e ulëta të energjisë, Skandinavia, ShBA-ja, Kanadaja, Koreja dhe Malajzia mund të jenë rajone premtuese për prodhimin e ri të polisilikonit”.

Montimi i qelizave dhe moduleve solar – synim më i gjerë i legjislacionit Neto Zero të BE-së – është më pak intensiv dhe mund të jetë i zbatueshëm me shkallë më të vogla investimesh. “Me stimuj relativisht modestë publikë, ndoshta mund të përcaktoheni kudo për montimin e qelizave dhe moduleve”, thotë Wang.

Zgjidhja e problemeve të tilla të koordinimit nëpër sektorë, është roli tradicional i politikës industriale që gjithashtu mund të ndihmojë në nxitjen e llojit të integrimit vertikal që gjigantët kinezë i ka bërë kaq konkurrues. Por, BE duhet t’i kapërcejë boshllëqet e mëdha të çmimeve; modulet e montuara në Evropë janë për rreth një të tretën më të shtrenjta se ato kineze.

“Nëse ka kërkesë për zinxhir furnizimi në tokën evropiane, atëherë do të ketë kompani të brendshme. Çështja është nëse njerëzit janë të gatshëm të paguajnë për të”, thotë një ekzekutiv i një kompanie kineze solare, me bazë në Evropë.

Për ta përmbushur objektivin për të prodhuar 40 për qind të pajisjeve të gjenerimit të energjisë së pastër, brenda Evropës, Komisioni ka propozuar masat për t’i nxitur investimet në impiantet industriale të teknologjisë së pastër dhe ka lejuar shtetet anëtare të shpërfillin mbrojtjen mjedisore kur i lejojnë objektet e caktuara.

“Nuk duam përsëritje të paneleve solare, kur i shpikëm dhe më pas i gjithë prodhimi shkoi në Kinë”, u tha muajin e kaluar gazetarëve në Strasburg, komisioneri i Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, Frans Timmermans.

Por, Xuereb, nga Photovoltaik-Institut, thotë se sfidat dhe afatet kohore të ndërtimit të infrastrukturës së furnizimit, sa më afër Evropës, nënkuptojnë se kapaciteti i ardhshëm 420GW, të cilin BE synon të instalojë deri në vitin 2030, “kryesisht do të vijë nga Kina”.

Jan Krueger, partner dhe drejtor menaxhues në Pelion, një start-up me bazë në Munih që financon investimet e gjelbra, ankohet se Evropës “i mungon shpejtësia e zbatimit” dhe se është shumë i ngadaltë procesi i miratimit për subvencionet e energjisë së rinovueshme.

“Ka më shumë se mjaftueshëm kapital, ka përkushtim nga industria dhe nga investitorët”, thotë ai. “Tani i takon BE-së që ta stimulojë këtë riindustrializim”.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024