Lajme
“Ëndrra” amerikane e Kurtit drejt shuarjes, Osmani viziton këtë muaj ShBA-në
Demokracia
22:48 | 07 Prill 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë zhvilluar një “betejë” të heshtur se cili do të shkojë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, si duket, Osmani është ajo që e fitoi këtë “betejë”, shkruan Demokracia.com.

Vizitën e presidentes në SHBA sonte e ka konfirmuar edhe shefi i stafit të saj, Blerim Vela.

Ai ka thënë në Klan Kosova se presidentja Osmani në prill dhe maj do të vizitojë ShBA-në.

Vela ka thënë se Osmani do të zhvillojë takime të niveleve të ndryshme, pa prezicuar me kënd.

“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë, disa në Kongres”, ka thënë Vela.

Theksimi i Veles së presidentja i ka dyert e hapura në SHBA tingëlloi më shumë si “diss” për kryeministrin Kurti, i cili më herët kishte paralajmëruar se në pranverë do ta vizitojë SHBA-në.

Megjithatë, arsyeja e shkuarjes është MCC-ja, për të cilën kishte raportuar Demokracia.com më herët.

Vela ka folur edhe për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Kosovës me MCC-në.

“Procesi teknik i arritjes së marrëveshjes me MCC-në për programin Compact, procesi negociator fillon në javën e parë të majit, gjatë kësaj periudhe do të bëhet finalizimi i paketës së programit dhe financimi. Nënshkrimi i marrëveshjes pritet të ndodh ose nga fundi i verës apo nga mesi i verës, do të varet nga kjo dinamikë”, ka thënë Vela.

Demokracia.com ditë më parë kishte raportuar se presidentja Osmani ka insistuar të shkojë në Uashington për MCC, pasi që në të kaluarën presidenti ka shkuar gjithmonë atje.

Kurse, kryeministri Kurti e kishte shumë të nevojshme të shkonte në Uashington dhe insistonte që të shkonte ai, pas që ende nuk e ka zhvilluar asnjë vizitë në Uashington.

Kurti, siç kishte mësuar Demokracia.com, ishte përpjekur ta përdorte MCC-në për ta shkelur tokën amerikane për herë të parë si kryeministër.

Demokracia.com kishte raportuar se ishte e paqartë nëse do të shkonte presidentja apo kryeministri në Uashington për MCC (Fondin e Mijëvjeçarit), pasi që ata ende nuk ishin marrë vesh rreth kësaj çështjeje. /Demokracia.com/

Të ngjashme