Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë. Çmimi i më të mirit në javën e katërt i ka takuar futbollistit të FC Prishtina, Endrit Krasniqi.
Komisioni vlerësoi se Krasniqi me lojën e shfaqur kundër Llapit ishte më i merituar për fitoren e Prishtinës, me rezultat 2:1 në “Zahir Pajaziti”. Ai fillimisht nxori penallti në minutën e 13-të, të cilën në gol e shndërroi Kreshnik Uka, derisa më pas në minutën e 58-të shënoi golin që e vulosi fitoren e bardhekaltërve.
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e Prishtinës e dorëzoi menaxherja e marketingut në Albi Mall, Fitore Osmani Muhaxhiri.
Endrit Krasniqi këtë çmim ia ka dedikuar krejt ekipit.
“Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka theksuar Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së këtij çmimi./Demokracia.com/