Nuk ka pasur ndonjëherë incidente madhore. Megjithatë, shteti po do siguri më të shtrënguar rreth aseteve energjetike, tash gjatë krizës, kur çdo megavat i prodhuar ka rëndësi të madhe.
Këtë kërkesë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ia ka adresuar direkt drejtorit të policisë.
“Në kërkesë është cekur që në veçanti termocentralet dhe sistemi i transmisionit të jenë të mbrojtura maksimalisht nga sulmet eventuale fizike. ME ka kërkuar që Policia e Kosovës në bashkëpunim me akterët relevantë si KEK dhe KOSTT të identifikojnë masat që duhet të ndërmerren, si dhe të mbështesin zbatimin e tyre me qëllim të ruajtjes së këtyre aseteve me rëndësi esenciale për furnizim me energji elektrike të vendit”, thuhet në përgjigjen e ME-së.
Të paktën publikisht, një strategji e tillë duket se nuk është hartuar ende. Nga KEK dhe KOSTT nuk pohuan se janë takuar me drejtuesit policorë për diçka të tillë.
Për kërkesën specifike të Rizvanollit nuk dha detaje as policia, përveç që tregoi se vazhdimisht i patrullon përreth Kosovës A dhe B.
Sipas njohësit të fushës, Lulzim Syla, kjo temë duhet marrë fort seriozisht, sidomos pas rasteve në Shqipëri, javë më parë, ku u arrestuan persona të dyshimtë u futën në uzinat e armëve.
“Një dron me 1 kilogram tritol di të shkaktojë probleme të mëdha teknike që shkaktojnë avari të mëdha”, thotë Syla.
Madje, ky thotë se shërbimet sekrete mund të kryejnë edhe sulme kibernetike.
Edhe njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se kohën e krizës energjetike duhet vëmendje e shtuar te këto asete.
“Institucionet e sigurisë duhet të kenë kujdes në ruajtjen fizike, apo ruajtjen inteligjente, siç janë kamerat, apo format tjera të monitorimit të aseteve energjetike”, shprehet Elezi.
Termocentralet ruhen non-stop edhe nga kompani private të sigurimeve.
Gjatë dimrit, kapacitetet prodhuese të energjisë edhe ashtu nuk e mbulojnë tërë kërkesën, kështu që çdo dëm eventual do të mund të kushtonte shumë miliona euro import të rrymës.