Sport
Ende pa u bërë zyrtare, Armand Duka uron Igli Taren për postin e drejtorit te Milani
Demokracia
18:03 | 23 Maj 2025

Share:

Ish-futbollisti i njohur shqiptar, Igli Tare, ka marrë një tjetër hap të madh në karrierën e tij profesionale. Ai është emëruar zyrtarisht drejtor sportiv i klubit legjendar italian, Milan – një lajm i konfirmuar të premten nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Pas një periudhe bisedimesh intensive me drejtuesit e “Rossonerëve”, Tare më në fund ka arritur marrëveshjen që e rikthen në qendër të futbollit italian, këtë herë në një nga klubet më të mëdha dhe më me histori në botë.

Armand Duka, në një reagim publik, ka shprehur emocionin dhe mbështetjen e tij për këtë arritje të Tares, duke theksuar rëndësinë që ka ky emërim për futbollin shqiptar.

“Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit është një arritje me peshë të madhe. Jam i bindur se përvoja jote, përkushtimi dhe vizioni që të karakterizojnë do të kontribuojnë në rikthimin e Milanit në majat ku i takon të jetë”, ka shkruar kreu i futbollit shqiptar.

Tare, tashmë 51 vjeç, ka një histori të gjatë suksesi në futbollin italian. Për 15 vite me radhë ai mbajti postin e drejtorit sportiv te Lazio, ku u vlerësua për ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe për aftësinë në zbulimin e talenteve.

Para karrierës si drejtues, Tare ka qenë vetë një futbollist i spikatur, duke përfaqësuar me krenari Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Ky hap i ri në rrugëtimin e tij profesional pritet të sjellë një dimension të ri në projektin sportiv të Milanit, ndërsa për shqiptarët është një tjetër dëshmi e fuqisë së figurave të tyre në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Të ngjashme