Lajme
Ende pa rrymë ndërtesa që u kaplua nga zjarri një javë më parë në “Breg të Diellit”
Demokracia
20:06 | 03 Janar 2024

Share:

Të enjten e kaluar, zjarri shpërtheu në njehsorët e rrymës në një ndërtesë banimi në lagjen “Bregu i Diellit”.

Tymi nga kjo djegie shkaktoi panik të madh tek banorët.

E nga ky rast ka pasur edhe të lënduar.

Qytetarja Diturie Neziraj, tha për Klankosova.tv se akoma nga ajo ditë nuk kanë rrymë.

Sipas saj, ende s’ka informacione se kush ishte shkaktar i këtij zjarri.

“Jemi 35 familje që jetojmë në këtë ndërtesë. Ende nuk dimë asgjë rreth rastit. As kush e ka shkaktuar zjarrin, as mos i ka prekur dikush orët e rrymës, apo çka ka ndodhur”.

“Jemi detyruar të largohemi nga banesa jonë, pasi që aktualisht është e pabanueshme shkaku i erës. Burri dhe vajza ime e vogël kanë qenë edhe në rrezik për jetën. Banesën e kemi në katin e fundit dhe mezi kemi arritur të zbresim poshtë. Vajza është frikësuar dhe ka qarë shumë”, theksoi Neziraj për Klanin.

Sipas saj, nga KEDS-i ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, ndonëse janë interesuar vazhdimisht në adresë të kësaj kompanie.

“Kemi kontaktuar me KEDS-in por deri më tani s’kemi marrë asnjë përgjigje. Jemi gati që një javë pa rrymë. Aty është goxha ftohtë, banorët e tjerë po ngrohen me gaz. Nga KEDS-i na kanë thënë se ‘Po, po, hajt se vijmë’, edhe askush deri tani sipas banorëve nuk ka ardhur nga KEDS-i për ta rregulluar problemin”, shtoi ajo.

Neziraj tha se janë lodhur nga kjo situatë dhe se të gjithë banorët kanë vetëm një dëshirë: rregullimin e problemit dhe kthimin në banesat e tyre.

Klankosova.tv ka provuar të marrë një koment nga KEDS-i, por kompania tha se nesër do të japin përgjigje për këtë çështje.

Të ngjashme