Lajme
Ende ‘mister’ sulmi me 500 të vrarë në Spitalin e Gazas – Izraeli u bën thirrje palestinezëve të largohen drejt jugut – Jordania anulon samitin me Biden
Demokracia
08:19 | 18 Tetor 2023

Share:

Vijon ende të mbetet “mister” një sulm vrastar dhe masakrues në spitalin Al-Ahli të Gazës, ku deri tani të paktën 500 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve fëmijë, gra dhe staf mjekësor, të cilët operonin aty.

Një rrufe e menjëhershme akuzash se pas raketimit qëndron Izraeli, erdhi kryesisht nga vendet arabe dhe vendet, të cilat rreshtohen për nga kauza palestineze.

Diçka e tillë u mohua po me aq shpejtësi nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite, të cilat pretenduan se në fakt nuk kemi të bëjmë me një sulm, por me disa raketa të Xhihadit Islamik Palestinez, të cilat kanë pësuar avari dhe kanë rënë tragjikisht në spitalin e Gazës.

Dy qasje politike të ndryshme janë edhe mesazhet ndërkombëtare lidhur me rastin në fakt.

Shumica e vendeve arabe në mbështetje të Palestinës, kanë akuzuar drejtpërdrejt Izraelin për sulmin.

Ndërkaq, vendet perëndimore, janë ndalur në dënimin e sulmit dhe aktit, por pa përcaktuar autorësi dhe pa etiketuar se kush mund të ketë qenë iniciatorë – vijimësisht duke kërkuar një hetim të thelluar mbi ngjarjen.

Këtë të fundit, IDF-ja ka pretenduar se do ta japë së shpejti, edhe me përgjime të një audio-incizimi, ku vërtetohet se pas gjithë gjësë qëndron Xhihadi Islamik Palestinez.

Por lufta është sërish edhe më e gjerë se kaq…

Izraeli ka vijuar thirrjet për palestinezët, që këta të fundit të largohen menjëherë nga Gaza veriore dhe të zhvendosen drejt jugut të Rripit.

Arsyeja është po e njëjta: Nisja e një inkursioni izraelit në Gaza, me qëllim zhdukjen totale të Hamasit nga Gaza dhe marrjen e territorit nën kontroll.

Një plan i tillë (i paralajmëruar) qarkullon prej të shtunës së 14 tetorit.

Por, me justifikimin e kushteve meteorologjike dhe dyndjen e civilëve palestinezë ende në pjesët veriore, ai është shtyrë vazhdimisht.

Incidenti tragjik në Spitalin e Gazës ndërkaq ka sjellë edhe një zhvillim në rrafshin diplomatik, pikërisht atëherë kur pritet që presidenti amerikan, Joe Biden, të zhvillojë vizitën e tij të parë në Izrael, që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor, i cili të vrarë la mbi 1 mijë e 300 izraelitë.

Jordania, e cila do të organizonte një samit, ku i pranishëm pritej të ishte edhe Biden, e ka anuluar atë, menjëherë pas ngjarjes. Jordania në fakt ka qenë ndër të parat vende, që e ka dënuar si sulm izraelit ndodhinë.

Teksa, pas anulimit nga Jordania, ka ardhur konfirmimi edhe nga Shtëpia e Bardhë se samiti ishte anuluar në mënyrë konsensuale, duke parë çfarë kishte ndodhur dhe ndjeshmërinë e çështjes.

Të ngjashme