Lajme
Ende asnjë shenjë për 29-vjeçarin, reagon Ministria e Mbrotjes: Terreni shumë i vështirë për ndërhyrje dhe kërkim
Demokracia
17:29 | 08 Maj 2025

Share:

Ende vijojnë kërkimet për trupin e 29-vjeçarit që u zu nga masive i dheut, teksa po punonte me ekskavator në vendin e quajtur “Qafa e Burrelit”, në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit që ndodhet në territorin e bashkisë Klos.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije qindra persona janë angazhuar për gjetjen e trupit, por rëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim.

“Më datë 03 maj 2025, rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km. Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator një punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve. Si pasojë e rrëshqitjes, punëtori është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve.

Që nga dita e parë, në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit të punonjësit:

* Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM): 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor.
* Forcat e Armatosura: 115 forca nga reparti ushtarak 1013 Burrel, 12 efektivë nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC) me pajisje speciale për kërkim-shpëtim në rrënoja, 24 efektivë nga kompania EOD (Batalioni i Xhenios), të pajisur me pajisje për detektimin e metaleve.
* Policia e Shtetit: 24 efektivë.
* Urgjenca Mjekësore: E pranishme në vendngjarje për ndihmën e nevojshme.
* Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore: 6 punonjës.
* Vullnetarë: 535 qytetarë dhe 2 ekskavatorë që janë duke punuar intensivisht në një pjesë të zonës ku ka ndodhur rrëshqitja.
* Strukturat lokale: Të angazhuara janë strukturat e pushtetit vendor të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër.

Mbështetja ndërkombëtare:

Me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe vështirësisë së terrenit, më datë 06.05.2025, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, është kërkuar mbështetje nga Kosova me forca të specializuara për kërkim-shpëtim.
Më datë 07.05.2025, një ekip i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja, është bashkuar me operacionin në terren.

Kushtet në terren:

Sipas vlerësimeve në terren dhe diskutimeve me drejtuesit operativë, rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim. Në një segment të terrenit, rreth 500 metra nga pika e rrëshqitjes pranë fabrikës së pasurimit të kromit, janë futur dy ekskavatorë për të ndihmuar në gërmimin dhe gjetjen e trupit.

Koordinimi i operacionit:

Operacioni po drejtohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat operacionale mbeten të angazhuara maksimalisht deri në përfundimin e operacionit dhe lokalizimin e personit të humbur”-njofton ministria.

Të ngjashme