Kryetari i Komisionit Disiplinor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, Shpend Haxhibeqiri, ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur deri më tani.
Pas Haxhibeqirit, Demokracia.com ka mësuar se dorëheqje kanë dhënë edhe anëtarët e këtij komisioni Artan Ahmetaj dhe Violeta Grajqevci.
Dorëheqjen e tij e ka konfirmuar për Demokracia.com vetë Artan Ahmetaj, derisa Violeta Grajqevci nuk e ka hapur fare telefonin në thirrjet e redaksisë.
Njëjtë sikurse Haxhibeqiri, i cili mësohet jozyrtarisht se ka pasur presione nga menaxhmenti dhe bordi, arsyeja e njëjtë vlen edhe për dy anëtarët e tjerë.
“U kishin bërë presion në vazhdimësi për kurdisje të konkurseve dhe procedurave disiplinore”, ka thënë burimi i Demokracia.com.
Sipas një Kallëzimi Penal që ka arritur të sigurojë Demokracia.com, aty thuhet se të pandehurit me dashje direkte në bashkëkryerje dhe në koordinim të plotë, në mënyrë të organizuar dhe me qëllim të ditur paraprakisht dhe me ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta, duke qenë në dijeni dhe të vetëdijshëm për pengesat dhe ndalesat ligjore nga Ligji për Sinjalizuesit, neni 18, që paraqet ndalesë absolute për të dëmtuar tani të dëmtuarit dhe në Kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik neni 46, i pandehuri ****** paraqet një shkresë, si kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore, dhe së bashku me të pandehurit e tjerë, kanë bërë shqiptimin e dëmit/masës disiplinore duke bërë keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe duke bërë fshehjen/falsifikimin e provave, ashtu që fillimisht kanë bërë prerjen/ ndërhyrjen/ eliminimin e provës së nxjerrë në shqyrtim disiplinor të datës 16.09.2021, ku është bërë incizimi në vend të procesverbalit dhe të njëjtin e kanë fshirë në mënyrë të pa autorizuar.
Sipas burimeve të Demokracia.com, ekzistojë mesazhe dhe audio-incizime për këto pretendime të ngritura.