Lajme
EMRAT| Kosova ka 25 konsuj nderi nëpër botë, kush janë ata dhe çfarë bëjnë?
Demokracia
20:00 | 29 Maj 2022

Share:

Kosova ka 25 konsuj nderi nëpër botë, ndërsa vendi me më së shumti është Turqia. Të gjithë janë emëruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me vendet pranuese, që t’i përfaqësojnë interesat e Republikës së Kosovës.

Demokracia.com ka siguruar listën me 25 konsujt e nderit të Kosovës.

Kosova më së shumti konsuj nderi ka në Turqi, ku janë pesë aktualisht dhe në Austri ku këtë titull e mbajnë aktualisht tre persona.

MPJD ka dërguar konsuj nderi edhe në Haiti, Pakistan e Benin, raporton Demokracia.com.

Kush janë 25 konsujt e nderit dhe çfarë dihet për ta?

Konsull nderi i Kosovës në Shqipëri është Mentor Nazarko. Ky një kohë në publik është njohur si analist në studio televizive, derisa u zgjodh këshilltar i ministrit të atëhershëm të MPJ-së, Behgjet Pacollit.

Më pas, Pacolli e bëri edhe konsull nderi në Shqipëri.

Kosova ka tre konsuj nderi në Austri, Paulmich Markus, David Ungar Klein dhe Manfred Brdandner.

Ky i pari nëpër rrjete sociale është “fantazmë”, derisa as në internet nuk ka të dhëna rreth tij, raporton Demokracia.com.

Ndërsa, David Ungar Klein, ka nisur punën e tij si konsull i nderit më 12 dhjetor të vitit 2016. Ky i fundit, përveç kësaj pozite ka punuar kryesisht në sektorin e marketingut në disa kompani të ndryshme.

David Ungar Klein është aktiv edhe në rrjetin social Facebook, derisa ka publikuar fotografi ku shihet edhe Flamuri i Kosovës.

Manfred Brandner është konsulli tjetër i nderit në Austri. Brandner veç kësaj është drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bit Media” – anëtare e “EEE Group”.

Brandner ka ardhur 11 vite më parë, siç kishte bërë ai të ditur në një intervistë për REL, që të investojë me firmën e tij në fushën e teknologjisë, më konkretisht informatikës.

Kosova ka konsull nderi edhe në Benin, shtet i Afrikës Perëndimore. Bëhet fjalë për Oliver Nitsugn, për të cilin, në media dhe rrjete sociale nuk figuron asgjë, raporton Demokracia.com.

Njëjtë edhe në lidhje me konsullin e nderit në Bullgari, Plamen Atanasov Kopchev, nuk ka detaje.

Kosova ka dy konsuj nderi në Kanada, Chad Ragers dhe Ros Reid.

Ragers është një strateg dhe sipërmarrës, i cili ndihmon kompanitë që të përballen me kriza.

Ai ka bashkëpunuar edhe me Institutin Kombëtar Demokratik me bazë në Uashington, DC, i cili atë kohë është kryesuar nga ish-sekretarja Madeleine Albright.

Po ashtu, në një biografi të tij thuhet se ai ka këshilluar politikanë në shumë vende, duke përfshirë këtu Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe të tjera.

Ros Reid është konsulli tjetër i nderit i Kosovës në Kanada, raporton Demokracia.com.

Reid është një ish-deputet konservator progresiv që shërbeu si Ministër i Peshkimit dhe Oqeaneve dhe Ministër për Agjencinë e Mundësive të Kanadasë Atlantike nën kryeministren Kim Campbell.

Ai ka punuar edhe si shef i stafit në Partinë Konservatore Progresive e Newfoundland dhe Labrador.

Po ashtu, Kosova ka konsull nderi edhe në Finlandë. Jouni Lehtimaki ka punuar nga viti 2013 deri në vitin 2017 kur edhe u bë konsull, si këshilltar ligjor ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe ishte dërguar nga Finlandë.

Lehtimaki ka qenë edhe anëtar i parlamentit finlandez nga viti 1999 deri në 2003. Më vonë, ai ka shërbyer edhe si avokat ushtarak në Liban dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në Francë, Kosova i ka dy konsuj nderi.

Njëra është Odile Herrot, ku në biografinë e saj shkruan se është specialiste në çështjen e Kosovës. Më herët, ajo ka punuar si zyrtare në OSBE dhe kishte deklaruar se interesat e saj janë ndërtimi i demokracisë në Ballkan, raporton Demokracia.com.

Christian Menard është konsulli tjetër i Kosovës në Francë, detyrë të cilën e mori në janar të vitit 2015.

Menard nga viti 2007 deri në 2012 ka qenë drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Studimeve për Francë dhe Kosovë.

Ai, po ashtu, ka punuar si zëvendëspresident i grupeve të shoqërisë për Francë-Qatar, Francë-Malajzi, Francë-Madagaskar, Francë-Shqipëri dhe Francë-Timor.

Stefan Troebst është konsull i Kosovës në Gjermani. Ai kryesisht është marrë me aktivitete për kryqëzimin e shkencës dhe politikës.

Ai ka qenë anëtar në misionet afatgjata të OSBE-së në Maqedoni të Veriut dhe Moldavi. I njëjti, po ashtu, është themelues i Qendrës Evropiane danezo-gjermane për çështjet e minoriteteve.

Kosova e ka një konsull nderi edhe në Haiti. Bëhet fjalë për Patrick Rouizer, i cili po ashtu nuk gjendet në rrjete sociale e as në media, raporton Demokracia.com.

Konsull i Kosovës në Holandë nga viti 2018 është Robert Eduar Borsch. Ky i fundit ka qenë edhe ish-ambasador holandez në Kosovë.

Edward Jackson është konsull nderi i Kosovës në Zelandë të Re, për punën e të cilit nuk ka detaje në media apo rrjete sociale.

Kosova i ka dy konsuj nderi në Maqedoninë e Veriut, Arsim Paparnikun dhe Benjamin Rusin.

Paparniku është anëtar i bordit të Skopje East Gate SEG, ndërsa për Benjamin Rusin nuk ka fare të dhëna.

Zahir Anjum është konsull i nderit në Pakistan. Demokracia.com në hulumtimin për të ka gjetur se ky i fundit ka punuar nëpër banka të ndryshme.

Abudulrahman Manosur Al Mesleh është konsull nderi në Katar dhe për këtë të fundit nuk dihet se çfarë pune tjetër bënë apo me çfarë merret.

Kosova më së shumti konsuj nderi ka në Turqi dhe aktualisht janë pesë të tillë, raporton Demokracia.com.

Fahretin Gulener, sipas të dhënave që ka gjetur Demokracia.com, ka lindur në Gjilan dhe ka emigruar në Bursë të Turqisë kur ishte vetëm pesë vjeç.

Si deputet i mandatit të 21-të të Bursës, ai është marrë me problemet e botës së biznesit.

Muharrem Toprak është konsull nderi i Kosovës në Turqi, po ashtu. Ky i fundit ka qenë edhe deputet i parlamentit turk.

Kaan Kasif Kavaloglu dhe Alihan Karacan janë konsuj nderi, po ashtu, të Kosovës. Karacan është djali i politikanit turk, Harun Karacan. Ai kryesisht ka punuar me organizata që bëjnë punë vullnetare, ndërsa ka qenë përfaqësues i Eskisehirit të Federatës së Shahut.

Konsulli tjetër i Kosovës në Turqi është Emin Hisarcikioglu.

Emin Hisarcikioglu është djali i Rifat Hisaricikioglu, President i Unionit të Dhomave dhe Bursave të Mallrave të Turqisë dhe merret me biznesin e konsulencës. Ai, po ashtu, ka një kompani të quajtur “Hisarcıklıoğlu İlşaatom”.

Kosova e ka edhe një konsull nderi në Portugali, Pedro Americo Violas de Oliveira e Sa. Për këtë të fundit nuk ka detaje, ndërsa nuk është parë as edhe në ndonjë publikim të MPJD-së.

Cila është puna e konsujve të nderit? 

Siç thuhet në nenin 15 të Ligjit 03/L-125 për Shërbimin Konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, konsulli i nderit është pjesë përbërëse e strukturës së shërbimit konsullor të Republikës së Kosovës.

Emërimi, mbarimi i mandatit dhe kompetencat e konsullit të nderit

1.Për përfaqësimin sa më të mirë të interesave të Republikës së Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme emëron konsuj nderi.

2.Konsulli i nderit është pjesë përbërëse e strukturës së shërbimit konsullor të Republikës së Kosovës.

3.Kompetencat e konsullit të nderit përcaktohen me vendim të veçantë të Ministrit të Punëve të Jashtme.

4.Emërimi ka të bëjë me dhënien e titullit konsull nderi, shtetasit të Kosovës apo të huaj, me qëndrim të përhershëm në shtetin pranues, me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme.

Procedura e emërimit të konsullit të nderit përfshinë:

4.1 Argumentimin e hollësishëm të nevojës së përfaqësimit të interesave të Republikës së Kosovës me konsull nderi, në rrethin konsullor të propozuar;

4.2 Shqyrtimin e kujdesshëm të përshtatshmërisë së figurës së kandidatit për konsullin e nderit;

4.3 Marrjen e pëlqimit paraprak prej shtetit pranues për emërimin e kandidatit, që shqyrtohet për konsull nderi;

4.4 Pranimin e ekzekuaturës nga shteti pranues.

5.Konsulli i nderit merr përsipër përfaqësimin e interesave të Republikës së Kosovës, menjëherë pas dhënies së ekzekuaturës nga shteti pranues, për aq kohë sa është e nevojshme.

6.Me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme mund të kërkohet mbarimi i mandatit të konsullit të nderit, në rastin kur përfaqësimi i interesave të Republikës së Kosovës nuk konsiderohet të jetë i nevojshëm.

7.Konsulli i nderit mund të kërkojë në çdo kohë të heqë dorë nga titulli i tij.

8.Titulli konsull nderi nuk është i trashëgueshëm.

9.Në rast të pamundësisë për të ushtruar funksionin e përfaqësimit sa më të mirë të interesave të Republikës së Kosovës, konsulli i nderit e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme nga momenti i paraqitjes së rrethanës që e pamundëson ushtrimin e këtij funksioni.

10.Konsulli i nderit e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme nëse punësohet në një shtet tjetër, përveç shtetit pranues, në një organizatë ndërkombëtare ose kur ka bërë kërkesë për një nënshtetësi tjetër.

11.Për lejimin e fillimit të veprimtarisë së përfaqësimit të interesave të Republikës së Kosovës, konsulli i nderit pajiset nga Ministria e Punëve të Jashtme me ekzekuaturën përkatëse, pasi të ketë paraqitur vendimin për emërimin e tij./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme