Një rast i rëndë ku është përdorur dhunë fizike ka ndodhur në një nga shtëpitë e të moshuarve në Kosovë. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuara.
Infermieret që u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë, si të dyshuara për rastin e tmerrshëm të rrahjes së të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë përveç Aurona Pelajt, janë Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi.
Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.
“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit”, tha ai.
Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.
Siç ka mësuar Insajderi, e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.
Dhunuesja kryesore që shihet në këtë video është Aurona Pelaj nga fshati Novosellë. Pelaj shihet duke e goditur me shuplaka në fytyrë, pa pikë mërie të moshuarën.
“Ato motrat janë përjashtuar nga puna”, flet pronari i Qendrës për të Moshuar në Pejë.
“Orenda” Sh.P.K. është një biznes privat i cili merret me aktivitetet në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Aksionarë të biznesit janë Anton Rasaj, Besmir Ahmetaj, Agron Kukaj dhe Esmira Kukaj.
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se ndaj dy dhunueseve është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.