Para dy ditësh, Bordi i AKP-së shqyrtoi dhe miratoi qiradhënien përmes tenderit publik të pesë pompave të derivateve, sipas shpalljes së datës 26 korrik 2024. Demokracia.com ka pasur qasje në emrat e kompanive fituese.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka finalizuar kontratat për qiradhënien e pesë pikave të karburanteve në pjesën veriore të Kosovës. Demokracia.com kërkoi nga AKP informacione mbi kompanitë që dorëzuan oferta, numrin e tyre dhe emrat e fituesve. Ky institucion ka dërguar emrat e fituesve, si dhe të garuesve.
Bazuar në të dhënat e agjencisë, tri pika i ka fituar kompania “Veda 3 NTP” në pronësi të biznesmenit Zymer Miftari, ndërsa dy pika i ka fituar “Lab Oil SH.P.K.”
- INA Pompë e Karburanteve (Objekti me pajisjet përcjellëse dhe toka), që gjendet në Zubin Potok: Qiramarrësi fitues është kompania “Veda 3 NTP”. Çmimi i qirasë mujore do të jetë 5,111 euro.
- INA Pompë e Karburanteve (Objekti me pajisjet përcjellëse dhe toka), që gjendet në Leposaviq: Qiramarrësi fitues është kompania “Veda 3 NTP”. Çmimi i ofertës është 3,114 euro.
- Jugopetrol Pompë e Karburanteve (Objekti me pajisjet përcjellëse dhe toka), që gjendet në Mitrovicë të Veriut: Qiramarrësi fitues është kompania “Veda 3 NTP”. Çmimi është 7,111 euro.
- Jugopetrol Pompë e Karburanteve (Objekti me pajisjet përcjellëse dhe toka apo pjesa ku shtrihet pompat), që gjendet në Zubin Potok: Qiramarrësi fitues është kompania “Lab Oil SH.P.K.” Çmimi mujor është 5,170 euro.
- Jugopetrol Pompë e Karburanteve (Objekti me pajisjet përcjellëse dhe toka), që gjendet në Zveçan: Qiramarrësi fitues është kompania “Lab Oil SH.P.K.”. Çmimi është 1,175 euro.
Ditë më parë, Demokracia.com raportoi se AKP në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishte larguar nga këto pika operatorët ekonomikë, kompani me pronësi serbe, me arsyetimin se ato po operonin pa licencim dhe fiskalizim, duke shkelur kështu kontratat e qirasë.
Pas këtij veprimi, Demokracia.com raportoi se në një nga pikat e karburanteve ishte futur në mënyrë të paligjshme një biznes që bashkëpunon me partinë e Albin Kurtit, si kontraktor dhe financues i saj, “Ex Fis”. Pas raportimit, kompania u tërhoq nga tentimi për të hyrë në mënyrë të paligjshme në atë vend.
I njëjti operator ka ofertuar, por nuk ka fituar pasi çmimi i tij i ofertës ka qenë më i ulët se ai i fituesve.
Kriter kryesor ka qenë ‘çmimi më i lartë’ për qiranë mujore. /Demokracia.com/
Më poshtë gjeni ofertat për pesë pikat e pompave, siç janë dërguar nga AKP-ja ditë më parë, ndërsa emrat e fituesve të lartshënuar janë dërguar sot: