Dy biznesmenë, Lorik Tigani dhe Mentor Imami, janë arrestuar të mërkurën në Han të Elezit nën dyshimin për trafikimin e 83 kilogramë drogë nga Maqedonia e Veriut.
Afaristët, të cilët janë ortakë biznesor, u prangosën pas një operacioni të Policisë së Kosovës në terminalin dogranor të Hanit të Elezit. Operacioni u udhëhoq nga Prokuroria e Shtetit.
Siç raporton portali Indeksonline, të arrestuarit janë Mentor Imami dhe Lorik Tigani.
Përveç Tiganit dhe Imamit, Policia arrestoi edhe pesë të dyshuar të tjerë të mërkurën.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, tha se edhe dy të dyshuar të tjerë ndodhen në arrati.
Jashari tha se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, si dhe hetohen në drejtim të veprës penale blerja, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve.
Lorik Tigani dhe Mentor Imami figurojnë ortak biznesor në biznesin privat “Rino Group” Sh.P.K., e cila merret me tregti me pakicë në dyqane “jo të specializuara”.