Lajme
Emigrantët në Shqipëri, Scholz: Tirana së shpejti në BE, po i zgjidhim sfidat së bashku
Demokracia
14:10 | 11 Nëntor 2023

Share:

Besoj se duhet të kemi parasysh se, nga këndvështrimi ynë, Shqipëria së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe prandaj po flasim për një çështje se si t’i zgjidhim sfidat dhe problemet së bashku në familjen evropiane.

Kështu deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz, teksa fliste në Malaga, në margjinat e kongresit të socialistëve të BE-së dhe duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi paktin mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët.

Ai pranoi se ka migrim të parregullt, i cili duhet të reduktohet dhe do të ketë bashkëpunim të ngushtë me vendet jashtë Bashkimit Evropian, siç është tani, për shembull me Turqinë, dhe mund të ketë të tjera.

“Gjermania ka një pozicion shumë të qartë”, tha Scholz, duke shpjeguar se nga njëra anë ne duhet të reduktojmë flukset e parregullta dhe nga ana tjetër “ne kemi nevojë për një migrim të rregullt të talenteve dhe fuqisë punëtore”.

Duke komentuar paktin mes Romës dhe Tiranës, kancelari gjerman përsëriti se është çështje kompetencë e qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.

Në lidhje me qëndrueshmërinë e modelit, Scholz u përgjigj se “ne do ta ndjekim atë me kujdes”.

“Ajo që ka rëndësi tani në Evropë është të korrigjohen gjërat që nuk shkuan siç duhet, të ngrihet një mekanizëm solidariteti dhe të mos përpiqemi të kapërcejmë sfidat i vetëm”, shtoi Scholz.

Sipas tij, kjo është aspekti pozitiv i reformës së Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit që po sillet tani në Parlamentin Evropian dhe që pritet të miratohet para përfundimit të këtij legjislature.

Deklarata e Scholz vjen pas kritikave nga Partia Demokratike Italiane ndaj kryeministrit Rama, duke kërkuar përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Evropiane.

Në fakt, pozicione të ndryshme bashkëjetojnë në PSE.

Nga Malaga, presidenti i Partisë Socialiste Evropiane, i sapo rizgjedhur, ish-kryeministri suedez, Stefan Löfven, stigmatizoi marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë, duke shpjeguar se nuk është zgjidhje për politikat e migracionit.

“Dhe nuk është një model progresiv”.

Për sa i përket bilancit evropian, ka një lajm të keq edhe për Melonin.

Vetë Scholz, pas një darke mbrëmë me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, zyrtarizoi praktikisht mbështetjen gjermane për kandidaturën e socialistes, Nadia Calvino, për presidencën e Bankës Evropiane të Investimeve, pozicion për të cilin qeveria italiane ka propozuar ish-ministrin Daniele Franko.

Për Scholz, Calvino “do të ishte një kandidat i shkëlqyer”.

 

Të ngjashme