Portieri argjentinas, Emiliano Martinez nuk arriti t’i mbajë lotët në ‘Villa Park’ pas fitores 2-0 të Aston Villas ndaj Tottenham Hotspur, duke bërë mediat që ta cilësojnë si një lamtumirë nga klubi anglez.
Sipas gazetarit argjentinas Gaston Edul, përlotja e Martinez ndodh sepse portieri ka një shans të fortë për t’u larguar në afatin kalimtar të verës.
Martinez ka një ofertë të madhe nga një klub i Arabisë Saudite dhe gjithashtu dy oferta fitimprurëse nga klube të mëdha evropiane.
Ai ka të ngjarë ta refuzojë ofertën e Arabisë Saudite për arsye sportive dhe gjithashtu sepse dëshiron të qëndrojë pranë skuadrës argjentinase për Kupën e Botës FIFA 2026.
Aston Villa gjithashtu do të detyrohet ta shesë atë nëse nuk arrin të kualifikohet për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm pas shpenzimeve të mëdha këtë edicion.
Ndryshe, Martinez ka bërë 211 paraqitje për Aston Villan në karrierën e tij, duke mbajtur portën e paprekur në 69 raste gjatë tetë viteve te klubi anglez. /Telegrafi/