Lajme
Emërimi i këshilltarit | Kurti me model të Luginës së Preshevës tenton t’i përçajë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
Demokracia
18:50 | 14 Prill 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së premte ka njoftuar se ka emëruar edhe një këshilltar të ri, duke e çuar numrin e tyre në 24 gjithsej.

Bekim Qoku është emëruar këshilltar i Jashtëm Politik për marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri Kurti i uroi z.Qoku suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja, në funksion të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Bekim Qoku është bashkëpunëtor i ngushtë i Zijadin Selës, kryetarit të Aleancës për shqiptarët dhe deputetit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me të cilin kryeministri kosovar ka raport të afërt për dallim me politikanët tjerë shqiptarë atje.

Në zgjedhjet e korrikut të vitit 2020, Albin Kurti kishte dalë në mbështetje të plotë për Selën dhe Afrim Gashin, raporton Demokracia.com.

“Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë”, kishte shkruar Kurti në Facebook në vitin 2020.

Qoku dhe Sela e kishin takuar Kurtin edhe në selinë e LVV-së në Prishtinë në korrik të vitit 2020.

Emërimi i Bekim Qokut këshilltar për Maqedoninë e Veriut mund të shihet edhe si tendencë e Kurtit që të polarizojë edhe më shumë skenën politike shqiptare atje, pasi që në pushtet që një kohë të gjatë është BDI-ja e Ali Ahmetit, të cilës i bën opozitë të ashpër Aleanca e Zijadin Selës.

Ky hap i kryeministrit kosovar është i ngjashëm me atë të para disa muajve me Ardita Sinanin. Kjo e fundit, ish kryetare e Preshevës, pjesë e Partisë për Veprim Demokratik, u emërua nga Kurti këshilltare e tij. Ky emërim nxiti shumë reagime në Luginën e Preshvës, pasi u pa si ndërhyrje e drejtpërdrejte në favorizimin e një krahu politik.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kundërshtar i Ardita Sinanit, e ka quajtur diktator kryeministrin Kurtin.

Arifi pati thënë se në momentin kur ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kishte humbur shumicën e saj në asamblenë komunale, Kurti i kishte telefonuar atij duke i thënë ‘mos bëni kështu e ashtu’, dhe se ka dashur në një moment të caktuar t’ia imponojë që të tërhiqet nga ai proces.

“Ne normalisht proceset demokratike i vlerësojmë më lartë se ndonjë urdhër të ndonjë pseudo-diktatori dhe i kemi vazhduar proceset. Ai nuk e vëren, por është diktator. Është pak më mirë i veshur, me një kravatë ndryshe e gjuhën ndryshe, por në thelb e ka atë ideologjinë diktatoriale. Në qoftë se dikush kritikon, është menjëherë kundër. Pas ardhjes tonë në pushtet vitin e kaluar, çdo vizitë e ka urdhëruar që të mos vijë më në Komunë të Preshevës, ka vizituar vetëm Komunën e Bujanocit dhe kaq. Çdo ministër që ka ardhur deri më tani, i ka thënë të mos shkojnë në Komunë të Preshevës”, kishte thënë Arifi në shkurt të këtij viti. /Demokracia.com/

Të ngjashme