Lajme
Emërimi i emisarit të katërt për Ballkanin Perëndimor, Maliqi: Janë mbështetje për Lajçakun, si zëra të shteteve që gëzojnë respekt
Demokracia
23:25 | 19 Shkurt 2022

Share:

Qeveria gjermane ka emëruar politikanin Manuel Sarrazin, si të dërguari special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Tashmë  për Ballkanin Perëndimor janë emëruar katër emisarë nga vende të fuqishme botërore dhe BE-ja.

Gabriel Escobar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian, Sir Stuart Peach i Britanisë së Madhe dhe së fundi Manuel Sarrazin i emëruar nga Gjermania janë katër përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Agon Maliqi ka deklaruar se emisarët e kanë një rol politik mbështetës për të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Unë mendoj se të gjithë emisarët, sidomos ky i Gjermanisë, por edhe Escobar nga SHBA, e kanë një rol politik, mbështetës për Lajçakun. Besoj se e kanë kuptuar se Lajçak si figurë nuk ka peshë të madhe politike, por edhe BE-ja si e tillë në Kosovë sidomos i ka humbur kredibiliteti dhe pesha dhe këta emisarët në njëfarë forme vijnë si zëra të shteteve që gëzojnë pak më shumë respekt”, theksoi Maliqi.

Po ashtu, Maliqi theksoi se konflikti Rusi-Ukrainë do të ndikojë tërthorazi edhe në Kosovë.

“Ndikime të tërthorta në kuptimin së pari ekonomike, nga rritja e çmimit të energjisë, gazit, naftës, ushqimeve që padyshim na prek neve shpejt. Ndryshon shumë konteksti politik në të cilin zhvillohet dialogu, rritet ndoshta edhe urgjenca e zgjidhjes së dialogut”, u shpreh ai.

Angazhimi i emisarëve aktual ka qenë i fokusuar në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. /Telegrafi/RTV Dukagjini/

Të ngjashme